Studentët në Prishtinë kanë nisur të mblidhen sot në Qendrën e Studentëve, prej nga pritet të nisin një marshim proteste drejt sheshit “Skënderbeu”.
Ky marshim, i organizuar nga Parlamenti Studentor i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, është në shenjë kundërshtimi ndaj aktgjykimit dënues të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë, ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.
Marshi, i cili pritet të nisë në orën 11:30, do të përshkojë rrugën nga Qendra e Studentëve drejt qendrës së kryeqytetit, me destinacion final sheshin “Skënderbeu”.
Protesta studentore zhvillohet në ditën e pestë të tubimeve kundër vendimit të Gjykatës Speciale. Mbrëmë, mijëra qytetarë u mblodhën sërish në sheshin “Skënderbeu”, duke shprehur qartë kundërshtimin e tyre. Në tubimin e mbrëmshëm morën pjesë edhe anëtarë të familjeve të Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.
