Përzgjedhësi i Kosovës, Franco Foda, ka folur për situatën rreth Arijon Ibrahimovicit, derisa ka treguar edhe për afrimet e reja të Dardanëve, Erblin Osmanin, Milot Avdylin dhe Dion Kacurin.

Foda ka bërë të ditur se nuk i ka dërguar ftesë zyrtare yllit të Augsburgut, Arijon Ibrahimovic, por ka konfirmuar se është në kontakt të vazhdueshëm me të prej afro një viti.

Ibrahimovic ndërkohë ka marrë ftesë nga Gjermania U21, ndërsa e ardhmja e tij ndërkombëtare mbetet ende e hapur.

“Jo, Arijoni nuk ka marrë ftesë nga ana ime, por jam në kontakt që thuajse një vit me të dhe herë pas here shkëmbejmë mesazhe. Të shohim se si do të shkojë situata”, deklaroi Foda.

Përzgjedhësi i Kosovës foli edhe për objektivat e Dardanëve në ndeshjet e ardhshme, duke kërkuar që skuadra të mos jetojë me sukseset e së kaluarës.

“Futbolli nuk shkon me të kaluarën, por jetojmë në të tashmen. Tash duhet ta dëshmojmë nga e para sërish. Futbollistët të jenë të gatshëm qysh të enjten”.

“Unë pres që lojtarët të jenë të uritur për fitore dhe është me rëndësi që rezultatet në të kaluarën të mos ndalen, por të vazhdojmë. Është e vërtetë që kemi tre kundërshtarë shumë të fortë, si Austrinë, Irlandën dhe Izraelin. Do të provojmë të gjejmë një ekip të mirë, të bashkuar që dëshiron të luajë futboll të mirë”.

“Pas gjashtë ndeshjeve, do t’i mbledhim pikët dhe të shohim se ku jemi”.

Foda foli edhe për tre futbollistët e rinj që i janë bashkuar Kosovës, duke shpjeguar arsyet që e kanë bindur për t’i ftuar.

Për Milot Avdylin, ai vlerësoi sezonin e tij dhe faktin se mund të luajë në disa pozita.

“Avdyli që ka luajtur një sezon të mirë dhe ka pasur paraqitje shumë të mira. Ai luajti në mbrojtje në anën e majtë, por edhe në ofensivë, pra mund të luajë në disa pozita. E ka merituar ftesën time”.

Për Dion Kacurin, Foda zbuloi se e kishte ndjekur edhe më herët, sidomos gjatë kohës kur mesfushori luante te Baseli.

“Kacurin e kam njohur edhe më herët, e kam përcjellë kur ka luajtur për Baselin. Është lojtar mesfushor shumë i mirë, në mënyrë universale luan në shumë pozita dhe për të ardhmen e Kosovës ka potencial”.

Ndërsa për Erblin Osmanin, Foda tregoi se kontakti kishte qenë i vazhdueshëm për disa muaj dhe se në bindjen e tij për të zgjedhur Kosovën kanë qenë të përfshirë edhe drejtues të tjerë të Federatës.

“Për Osmanin që disa muaj kemi qenë në kontakt të vazhdueshëm. Ai ka luajtur në mënyrë të shkëlqyer dhe më ka bindur. Të gjithë kemi pasur kontakt me të, nga presidenti te Bajrami. Të gjithë e kemi kontaktuar dhe e kemi bindur. Ai luan me zemër për Kosovën, luan me pasion dhe kjo më pëlqen te lojtarët”.

Foda beson se tre afrimet e reja mund t’i japin energji të re Kombëtares së Kosovës, por ka theksuar se të gjithë duhet ta dëshmojnë veten në fushë.

“Këta lojtarë i japin energji të re kombëtares, por secili duhet të dëshmohet nga fillimi”.

Ndërkohë, Kombëtarja e Kosovës do ta zhvillojë sot stërvitjen e parë në kuadër të grumbullimit të radhës.

Dardanët do të stërviten në stadiumin “Fadil Vokrri”, me fillim nga ora 18:00./Arbresh.info