Gjashtëvjeçarja kineze thyen dy herë rekordin botëror në zgjidhjen e kubit Rubik

Një vajzë vetëm gjashtëvjeçare nga Kina ka shënuar një arritje të jashtëzakonshme, duke thyer dy herë, brenda vetëm tri ditësh, rekordin botëror për femra në zgjidhjen e kubit Rubik 3x3x3.

Lian Yunzhi fillimisht vendosi rekordin me një kohë mesatare prej 4.52 sekondash. Vetëm pak ditë më vonë, ajo e përmirësoi këtë rekord në 4.27 sekonda. Këto arritje u regjistruan gjatë garave të zhvilluara në qytetet Wuhan dhe Guangzhou të Kinës.

Me këtë rezultat të jashtëzakonshëm, Lian Yunzhi është bërë femra e parë që ka arritur të zgjidhë kubin Rubik me një kohë mesatare nën 4.5 sekonda.

Vajza e talentuar, me origjinë nga provinca Siçuan, ka mësuar mbi 1,300 algoritme të ndryshme për zgjidhjen e kubit. Për të arritur këto performanca mbresëlënëse, ajo është stërvitur intensivisht, nga dy deri në tri orë çdo ditë gjatë vitit të fundit, sipas raportimeve të BBC-së.