Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Kaja Kallas, në një postim në rrjetin “X” ka dhënë detaje për takimin e sotëm me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, si dhe njofton se është takuar edhe me presidentin serb Aleksandar Vuçiq. Kallas shprehet se ka theksuar nevojën për të çuar përpara “normalizimin e marrëdhënieve midis Beogradit dhe Prishtinës”.

Kallas thekson se progresi në normalizimin e marrëdhënieve dhe avancimi në rrugën drejt BE-së duhet të ecin paralelisht.

“Marrëveshjet e arritura përmes Dialogut të lehtësuar nga BE-ja, veçanërisht Marrëveshja e Ohrit, janë të detyrueshme”, vijon Kallas.

“Zbatimi i tyre nuk është një favor për Brukselin, por një detyrim ndaj qytetarëve dhe një rajoni që pret marrëdhënie normale”, thekson Kallas.

Tutje, ajo shprehet se “BE-ja do të vazhdojë të jetë një ndërmjetësues i paanshëm. Por lehtësimi nuk mund ta zëvendësojë vullnetin politik në Beograd dhe Prishtinë”.