Inspektorati Qendror i Punës ka ndaluar punimet në gjashtë objekte ndërtimi, përkatësisht në Prishtinë, Pejë dhe Mitrovicë, pas zbulimit të parregullsive lidhur me sigurinë dhe shëndetin në punë.

Gjatë inspektimeve të kryera në tri objekte në Prishtinë, dy në Mitrovicë dhe një në Pejë, Inspektorati Qendror i Punës ka konstatuar mungesë të masave thelbësore për garantimin e sigurisë dhe shëndetit të punëtorëve.

Për këtë arsye, Inspektorati ka marrë vendim për ndalimin e përkohshëm të punimeve në këto objekte. Ndalimi do të vazhdojë derisa të eliminohen të gjitha mangësitë e konstatuara dhe të krijohen kushte të plota sigurie për vazhdimin e punës.

Inspektorati Qendror i Punës thekson përkushtimin e tij në mbikëqyrjen e zbatimit të legjislacionit të punës dhe u bën thirrje të gjithë punëdhënësve që të respektojnë rreptësisht standardet e sigurisë dhe shëndetit në punë, për të parandaluar aksidentet e mundshme në vendin e punës.