Nis në Prishtinë Festivali dhe Panairi i Librit për Fëmijë, theksohet rëndësia e leximit përballë teknologjisë
Prishtina po pret edicionin e katërt të Festivalit dhe Panairit të Librit për Fëmijë, një ngjarje pesëditore që ka mbledhur fëmijë, prindër, autorë dhe dashamirës të librit në një program të pasur me aktivitete kulturore, edukative dhe artistike.
Organizatorët e edicionit të sivjetmë kanë vendosur theksin te rëndësia e leximit në një kohë kur teknologjia dhe inteligjenca artificiale po zënë gjithnjë e më shumë vend në jetën e përditshme të fëmijëve.
Drejtori ekzekutiv i organizatës ETEA, Agon Ahmeti, theksoi se libri nuk duhet lënë pas dore, pavarësisht pranisë së teknologjisë. Ai u shpreh se, ndonëse teknologjia dhe inteligjenca artificiale na ndihmojnë të zbulojmë botën, libri mbetet thelbësor. “Libri na mundëson të bëjmë pyetje të mira dhe të zhvillojmë mendjen. Pa lexuar, nuk dimë të bëjmë pyetje të mira, dhe pa pyetje të mira, inteligjenca artificiale nuk na jep përgjigje të mira,” deklaroi Ahmeti, duke shtuar se liria e sotme festohet falë Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Ndërkaq, Naime Beqiraj, drejtoreshë e Bibliotekës “Hivzi Sylejmani”, bëri të ditur se gjatë dy viteve të fundit biblioteka ka krijuar klube leximi dhe do të ofrojë mundësi regjistrimi falas për fëmijët. “Dy herë në vit, në ditë të veçanta si kjo, kemi regjistrim falas. Ftojmë të gjithë fëmijët të vijnë me shokë e shoqe, nga ora 10:00 deri në orën 16:00, për t’u regjistruar falas për një vit,” tha Beqiraj, duke shtuar se synimi është që raftet e bibliotekës të stërmbushen dhe të zbrazen nga leximet e fëmijëve. Ajo theksoi zgjerimin e rrjetit të bibliotekave, duke përfshirë degë në lagje, fshatra dhe Bibliotekën e Fëmijëve në Pallatin e Rinisë, të pasur me libra e ngjyra.
Kurse Vesa Avdiu, redaktore në shtëpinë botuese “Albas”, foli për procesin e përgatitjes së një libri dhe rëndësinë e takimit të tij me lexuesit e vegjël. “Një libër bëhet vërtetë i gjallë në momentin kur lexohet dhe bëhet pjesë e botës suaj. Ai mund të fillojë me një pyetje, me një personazh apo një ngjarje që ju bën të qeshni, të habiteni apo ndoshta edhe të mërziteni,” u shpreh Avdiu. Ajo përmendi si shembull librin “Unë jam Majlinda Kelmendi”, i cili ishte një ekskluzivitet i “Albas” në panairet e librit, duke rrëfyer historinë e guximit dhe realizimit të ëndrrave përballë sfidave. “Mos kini frikë të keni ëndrra. Lexoni, pyesni, zbuloni, provoni, gaboni dhe provoni përsëri, sepse nuk e dini kurrë se cili libër mund t’ju japë një ide të re ose cila histori mund t’ju frymëzojë,” theksoi ajo, duke shtuar se pas çdo libri që arrin te fëmijët qëndron shumë punë.
Festivali dhe Panairi i Librit për Fëmijë do të mbahet nga data 23 deri më 27 shtator në Amfiteatrin e Sheshit “Zahir Pajaziti” në Prishtinë.
