Gjini: “Katastrofë Kushtetuese” nëse nuk zgjidhet Presidenti deri më 5 Tetor
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ardian Gjini, ka shprehur shqetësimin e tij për situatën politike në vend dhe vonesat në zgjedhjen e presidentit të ri.
Gjini thekson se nëse vendi nuk do të ketë një president të ri pas datës 5 tetor, atëherë do të hynte në një gjendje që ai e cilëson si “katastrofë kushtetuese”.
“Nëse përtej datës 5 tetor nuk kemi president të zgjedhur, atëherë nuk do të kemi asnjë person zyrtar që mund t’i shpallë zgjedhjet. Nuk do të kemi asnjë që mund ta mandatojë kryeministrin e ardhshëm”, ka deklaruar Gjini, duke shpjeguar pasojat e mundshme.
Për rolin e Gjykatës Kushtetuese në këtë situatë, Gjini ka theksuar: “Sot barra mbi gjyqtarët e Kushtetueses është më e madhe se asnjëherë më parë. Ata kanë pasur situata sfiduese, por si kjo nuk ka pasur asnjëherë. Duhet të konkludohet se shumëçka për të ardhmen e Kosovës varet nga vendimi që do të marrin”.
Lidhur me një interpretim të mundshëm të situatës, Gjini ka shtuar: “E di që një interpretim i partisë fituese është që ushtruesit të detyrës së presidentit, pas zgjedhjes së kryetares së Kuvendit, i zgjatet mandati për 6 muaj”.
Ai ka argumentuar se një precedent i tillë nënkupton që një vend mund ta ndërrojë çdo gjashtë muaj kryetaren e Kuvendit dhe të mos zgjedhë fare president, duke minuar stabilitetin institucional.
