**Albin Kurti: Dështimi në zgjedhjen e Presidentit çon në zgjedhje të reja**

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka paralajmëruar se nëse brenda 11 ditësh nuk arrihet zgjedhja e presidentit të ri, vendi mund të shkojë drejt zgjedhjeve të parakohshme. Megjithatë, ai e ka konsideruar një skenar të tillë të panevojshëm.

Kurti theksoi se Kuvendi aktual posedon mandatin dhe përgjegjësinë për të zgjedhur kreun e ri të shtetit, duke sqaruar se në Kosovë nuk zhvillohen zgjedhje të drejtpërdrejta presidenciale.

“Nëse nuk arrijmë të zgjedhim një president të ri, do të shkojmë në zgjedhje. Zgjedhjet e reja janë të panevojshme. Kemi një Kuvend dhe ky Kuvend mund t’i ofrojë vendit një president. Duhet ta kuptojmë se në Kosovë nuk ka zgjedhje presidenciale. Përse të shkojmë sërish në zgjedhje për të konstituuar një Kuvend që nuk mund të zgjedhë president?”, u shpreh ai.