Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Adnan Rrustemi, ka theksuar nevojën për intensifikimin e takimeve politike për zgjedhjen e presidentit të ri të Kosovës, duke paralajmëruar se kanë mbetur shumë pak ditë deri në afatin kushtetues, 6 tetori.
Në një intervistë për Ekonomia Online, Rrustemi theksoi se takimet janë thelbësore dhe se ditët e mbetura duhet shfrytëzuar për të gjetur një emër konsensual për postin e Presidentit, me qëllim që të shmanget një cikël i ri zgjedhor. Ai bëri thirrje për vullnet politik nga të gjitha partitë.
Rrustemi kujtoi ftesat e vazhdueshme të LVV-së për takime e bashkëpunim, të cilat, sipas tij, ishin refuzuar nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK). Ai përmendi edhe marrëveshjen e mëparshme me Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK) për një emër konsensual, e cila dështoi për shkak të kundërshtimit të gjashtë deputetëve të LDK-së.
“Gjithsesi do të ketë ftesa për takime, janë të domosdoshme takimet, duhet t’i intensifikojmë sepse kemi shumë pak ditë në dispozicion,” tha Rrustemi, duke shtuar se zgjedhja e Presidentit duhet të hapë rrugën për kryerjen e detyrimeve të tjera shtetërore ndaj qytetarëve dhe interesave të Kosovës.
Lidhur me pyetjen nëse LVV do të propozonte një emër konsensual, jopartiak, Rrustemi theksoi se kjo ka qenë gjithmonë qasja e partisë së tij. “Gjithmonë kemi qenë për një emër konsensual si Lëvizje Vetëvendosje. Unë besoj që zgjidhja është një emër konsensual, është e domosdoshme kjo,” deklaroi ai, duke ripërsëritur se PDK-ja dhe AAK-ja refuzojnë bashkëpunimin. Ai shtoi se LVV do të mbajë të njëjtën qasje konstruktive për të gjetur një zgjidhje, duke u kërkuar partive që të luajnë rolet e tyre përkatëse në opozitë dhe mazhorancë.
Rrustemi paralajmëroi se moszgjedhja e Presidentit dhe hyrja në zgjedhje të parakohshme do të dëmtonte rëndë vendin, duke përfshirë edhe ndikimin negativ në çështjet me interes kombëtar, siç është Gjykata Speciale në Hagë. “Si mund të merren seriozisht kërkesat e nismat tona, nëse ne nuk e zgjedhim Presidentin e Republikës dhe futemi në zgjedhje brenda 12 ditëve?” pyeti deputeti i LVV-së. Ai theksoi se një cikël i tillë do të dëmtonte buxhetin, interesat e Kosovës dhe do të humbiste kohë të çmuar për t’u përballur me sfidat.
Edhe pse vendimi i plotë i Gjykatës Kushtetuese ende nuk është publikuar, Rrustemi tha se deri tani nuk janë zhvilluar diskutime për një emër konkret. Ai theksoi sërish rëndësinë e vullnetit politik. “Nëse palët e kanë ndarë mendjen për ta gjetur një zgjidhje, ne edhe mund ta gjejmë një zgjidhje,” u shpreh ai.
Megjithatë, Rrustemi paralajmëroi se zgjidhja do të jetë e vështirë nëse partitë opozitare, siç tha ai, vazhdojnë të mbajnë qëndrimin për zgjedhje të reja, duke shpresuar të kufizojnë qeverisjen e LVV-së.
Kujtojmë se Gjykata Kushtetuese ka konstatuar se afati prej 60 ditësh për zgjedhjen e presidentit të ri të Kosovës ka nisur të rrjedhë më 8 gusht, duke vendosur 6 tetorin si datën e fundit për këtë proces.
