Ambasadori i ri i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri, Eric Wendt, mbërriti dje në Tiranë dhe pritet t’i dorëzojë sot letrat kredenciale Presidentit Bajram Begaj në Pallatin e Brigadave. Kjo ceremoni shënon nisjen zyrtare të misionit të tij diplomatik.
Wendt u prit në Rinas nga drejtues të protokollit shtetëror dhe përfaqësues të ambasadës amerikane. Pas një qëndrimi rreth 20-minutësh në terminalin VIP, makina me flamurin amerikan u nis drejt Tiranës, duke bërë ndalesën e parë në selinë diplomatike në Rrugën e Elbasanit.
Ish-gjenerali Eric Wendt vjen në Tiranë pas një periudhe trevjeçare, gjatë së cilës Uashingtoni u përball me vështirësi në Senat për të emëruar një ambasador, që nga përfundimi i mandatit të Yuri Kim në qershor 2023.
Gjatë dëgjesës në Senatin Amerikan, Eric Wendt theksoi katër prioritete kryesore që do të udhëheqin mandatin e tij:
1. Mbrojtja e qytetarëve dhe avancimi i interesave amerikane, përfshirë mbështetjen ndaj Shqipërisë në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar ndërkombëtar.
2. Mbështetja e progresit të Shqipërisë drejt rritjes së shpenzimeve të mbrojtjes në 5% të PBB-së deri në vitin 2035.
3. Promovimi i diplomacisë ekonomike dhe tregtare në dobi të qytetarëve.
4. Fokusi te stafi i ambasadës, përmes një linje pune të quajtur “Faktorët njerëzorë”, me synim përdorimin e metodave standarde dhe kreativitetit.
Pak orë pas mbërritjes në Tiranë, paraditja e së shtunës do ta gjejë ambasadorin Wendt në Pallatin e Brigadave për të dorëzuar letrat kredenciale. Burime diplomatike, të cituara nga gazetari i Top Channel, Muhamed Veliu, bëjnë të ditur se përveç ceremonisë zyrtare, parashikohet edhe një takim i gjatë, kokë më kokë, mes Presidentit Begaj dhe ambasadorit Wendt.
Të mërkurën, ambasadori Wendt pritet të zhvillojë takimin e parë me ministrin për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, në selinë e Ministrisë.
Një ceremoni e veçantë prezantimi e ambasadorit të ri do të organizohet nga Ambasada Amerikane në Tiranë, të premten, më 2 tetor, në një hotel në qendër të kryeqytetit. Kjo pritje mbart një rëndësi të veçantë politike, pasi vëmendja do të përqendrohet te lista e të ftuarve dhe, veçanërisht, te prania ose mungesat nga të dy krahët e politikës shqiptare.
