Policia e Ferizajt njoftoi se më 26 shtator 2026, rreth orës 03:40 të mëngjesit, një person u plagos me armë zjarri në një parking në rrugën “12 Qershori” në Ferizaj. Viktima u dërgua menjëherë për trajtim mjekësor në Emergjencën e qytetit.
Menjëherë pas njoftimit, njësitet policore të stacionit të Ferizajt, së bashku me hetuesit dhe Forenzikën Rajonale, mbërritën në vendin e ngjarjes për ekzaminim. Për rastin u informua prokurori i shtetit, i cili autorizoi veprimet e nevojshme hetimore.
Nga veprimet e para hetimore dhe pas këqyrjes së pamjeve nga kamerat e sigurisë, dyshohet se personi i plagosur, identifikuara me inicialet F.J., 20-vjeçar, ka rrëshqitur teksa po lëvizte në parking. Gjatë rënies, arma e zjarrit, të cilën dyshohet se e mbante në çantën e tij, është shkrepur duke e plagosur atë në këmbë.
Pas trajtimit fillestar në Emergjencën e Ferizajt, F.J. u dërgua në QKUK-Prishtinë për trajtim të mëtejshëm.
Gjatë kontrollit të çantës së tij, përveç armës së zjarrit, u zbulua edhe një sasi e vogël e substancës së dyshuar narkotike, marihuanë.
Rasti mbetet nën hetim nga Sektori Rajonal i Hetimeve, në koordinim me Prokurorinë Themelore në Ferizaj.
