Ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, ka deklaruar se nuk mund të komentojë vendimin e Gjykatës Speciale pa pasur aktgjykimin e plotë. Po ashtu, ajo ka bërë të ditur shumat e shpenzuara nga shteti i Kosovës për mbrojtjen e të akuzuarve në Hagë.
Në një konferencë për media, Gërvalla theksoi se ende nuk është publikuar aktgjykimi i plotë, çka e pamundëson dhënien e komenteve.
Ajo bëri të ditur se për mbrojtjen dhe obligimet e tjera, shuma e paguar ka arritur në 40 milionë e 611 mijë e 855 euro. Këto shpenzime mbulojnë periudhën deri në shtator të vitit 2026.
Për mbrojtjen e katër të akuzuarve kryesorë – Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit – janë shpenzuar gjithsej 28 milionë e 470 mijë euro. Ajo shtoi se nuk ka detyrime të papaguara nga shteti i Kosovës për këto shërbime.
Ministrja Gërvalla theksoi se asnjëherë nuk ka vërejtur tendencë, qoftë para se të merrte detyrën, qoftë gjatë drejtimit të ministrisë, që mjetet financiare të përbënin një sfidë që do të pengonte vendosjen e drejtësisë në Hagë.
