Shtetësia zvicerane, ndër më të vështirat në Evropë: Këshilli i Shteteve refuzon iniciativën për shkurtimin e afatit të qëndrimit
Marrja e shtetësisë zvicerane do të vazhdojë të jetë një ndër proceset më sfiduese në Evropë, pasi Këshilli i Shteteve ka refuzuar një iniciativë që synonte lehtësimin e kushteve të natyralizimit, duke propozuar shkurtimin e afatit të qëndrimit për të huajt nga dhjetë në pesë vjet.
Senatorët votuan me 34 vota kundër dhe 9 pro propozimit, të titulluar “Për një të drejtë moderne të shtetësisë”, pa paraqitur ndonjë kundërpropozim. Kjo iniciativë ishte refuzuar më parë edhe nga Këshilli Kombëtar.
Aktualisht, të huajt duhet të kenë jetuar në Zvicër për të paktën 10 vjet për të aplikuar për shtetësi, duke përfshirë një periudhë trevjeçare gjatë pesë viteve të fundit para dorëzimit të aplikimit. Propozimi kërkonte ta përgjysmonte këtë periudhë, duke e ulur atë në pesë vjet qëndrimi total.
Mbështetësit e iniciativës argumentojnë se rregullat aktuale lënë më shumë se një të katërtën e popullsisë rezidente pa të drejta politike, pavarësisht kontributit të tyre në punë, pagesës së taksave dhe integrimit në shoqëri.
Megjithatë, ky vendim i Parlamentit nuk e mbyll çështjen. Meqenëse bëhet fjalë për një iniciativë popullore, propozimi do t’i nënshtrohet një votimi në nivel kombëtar nga qytetarët zviceranë.
