**Vëllai i Abdelhak Nourit ndan detaje për gjendjen e ish-futbollistit**

Bota e futbollit u trondit më 8 korrik 2017, kur gjatë një ndeshjeje parasezonale mes Ajaxit dhe Werder Bremenit, futbollisti Abdelhak Nouri u rrëzua në fushë dhe humbi ndjenjat.

Nouri kaloi tre vite në koma, duke pësuar dëmtime të përhershme në tru.

Vëllai i ish-mesfushorit të Ajaxit ka folur së fundmi rreth gjendjes së tij, duke theksuar se ajo është e qëndrueshme.

“Ai po shkon mirë dhe është i qëndrueshëm, sidomos në krahasim me fillimin e periudhës së rikuperimit. Kur vëllai im u kthye në Holandë pas incidentit, ishte një periudhë shumë e çuditshme. Krahasuar me atëherë, gjërat janë shumë më mirë tani. Ai ende ka momente të vështira, por ne jemi të lumtur që ai është ende me ne dhe që jemi në gjendje të kujdesemi për të,” u shpreh vëllai i tij.

Ai ndau gjithashtu detaje rreth momentit kur Nouri buzëqeshi për herë të parë pas incidentit, duke e përshkruar atë si një ndjenjë të veçantë dhe të papërshkrueshme.

“Zakonisht, nuk i kushton vëmendje të veçantë buzëqeshjes së dikujt. Por buzëqeshja e parë që vëllai im shfaqi pas tre vitesh ishte e papërshkrueshme. Ishim bashkë me familjen dhe dikush tha diçka qesharake. Ai nisi të qeshte spontanisht me ne. Deri më sot, buzëqeshja e tij ka një kuptim krejtësisht të ndryshëm në krahasim me ato të të tjerëve. Ishte një lloj konfirmimi se ai na njihte dhe na kuptonte,” përfundoi ai.