**Faruk Statovci me deklaratë polemike për futbollistët kosovarë në Ukrainë**

Humbja e Kombëtares së Kosovës mbrëmjen e djeshme kundër Austrisë ka hapur rrugë diskutimeve dhe kritikave të analistëve sportivë në studiot televizive.

Në kuadër të këtij debati, Faruk Statovci, trajner i klubit Lepenci në Ligën e Parë të Futbollit kosovar, ka bërë një deklaratë të diskutueshme lidhur me lojtarët kosovarë që luajnë në Ukrainë dhe që janë pjesë e Kombëtares, shkruan Indeksonline.

Ai pretendoi se futbollistët kosovarë në Ukrainë përballen me kushte të vështira dhe rreziqe, duke u shprehur: “Një pjesë e lojtarëve të Kosovës luajnë në Ukrainë, aty kërcet bumja dhe hyjnë në bodrum.”

Kjo deklaratë la të kuptohet se Statovci mendon se këta lojtarë nuk duhet të ftohen në Kombëtare nga trajneri Franco Foda, për shkak të situatës së tensionuar në vendin ku ata luajnë.

Vlen të theksohet se në Ukrainë luajnë disa futbollistë nga Kosova, ndërsa mbrëmë në formacionin bazë të Kombëtares ishin dy prej tyre: Ilir Krasniqi dhe Baton Zabërgja.