PDK: Pas miratimit të deklaratës, radha ndryshimeve në Ligjin për Dhomat e Specializuara
Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka përshëndetur miratimin nga Kuvendi të deklaratës për aktgjykimin e Dhomave të Specializuara në Hagë kundër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.
PDK ka falënderuar të gjitha grupet parlamentare për mbështetjen dhe kontributin në harmonizimin e tekstit të deklaratës, të propozuar nga grupi i saj parlamentar.
“Sot, Kuvendi shprehu qëndrimin e tij në mbrojtje të së vërtetës së luftës çlirimtare dhe kundërshtoi aktgjykimin, të cilin e vlerëson si të padrejtë. Ky është një hap i rëndësishëm i shprehjes së vullnetit të përbashkët politik. Tani ky vullnet duhet të kthehet në veprim konkret,” thuhet në reagimin e PDK-së.
PDK thekson se radha tani i takon Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara, të propozuar nga vetë kjo parti. Ajo ka kërkuar nga Qeveria që ta procedojë pa vonesë në Kuvend dhe nga të gjitha grupet parlamentare që ta trajtojnë e votojnë me urgjencë.
Partia Demokratike e Kosovës thekson se, ndërsa deklarata shpreh qëndrimin e Kuvendit, votimi i ligjit është hapi i radhës për t’u dhënë përgjigje institucionale kërkesave të ngritura. PDK ka rikonfirmuar angazhimin e saj për mbrojtjen e luftës së drejtë të UÇK-së dhe për një proces të drejtë ndaj ish-krerëve të saj.
Në fund të reagimit, PDK ka theksuar se sot u dëshmua se mund të ndërtohet vullnet i përbashkët për mbrojtjen e vlerave kombëtare, dhe se tani kërkon që i njëjti vullnet të dëshmohet edhe në votimin e ligjit.
