Ambasadori gjerman në Prishtinë, Rainer Rudolph, ka takuar sot kryeministrin Albin Kurti, ku i shprehu urimet e tij dhe ritheksoi mbështetjen e palëkundur të Gjermanisë për integrimin evropian të Kosovës gjatë takimit të sotëm, tha ambasada gjermane.

“Mezi presim të vazhdojmë bashkëpunimin tonë dypalësh, duke u mbështetur në marrëdhënien unike dhe të ngushtë mes Kosovës dhe Gjermanisë”, shkroi ambasada në një njoftim.

Për këtë takim, komunikatë lëshoi edhe Zyra e Kryeministrit, e cila tha se Kurti e ka falënderuar ambasadorin Rudolph për kontributin dhe mbështetjen e vazhdueshme të Gjermanisë dhënë Kosovës.

“Krahas diskutimit për zhvillimet politike në Kosovë, kryeministri Kurti dhe ambasadori Rudolph, biseduan për Procesin e Berlinit, nikoqire e të cilët do të jetë Kosova për herë të dytë këtë vit, si dhe për Forumin Ekonomik Kosovë-Gjermani që do të mbahet në fund të muajit tetor”.

Kurti, sipas ZKM’së, shprehu shqetësimin e Republikës së Kosovës për aktgjykimin e Dhomave të Specializuara për katër ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke shtuar se aktgjykimi ka “pasaktësi faktike, historike dhe ligjore, që duhet të korrigjohen me doemos në apel”.