Me rastin e 21-vjetorit të vdekjes së tij, kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka përkujtuar sot veprimtarin dhe ish-kryetarin e Mitrovicës, Faruk Spahija.
Nëpërmjet një postimi, Abdixhiku theksoi se Spahija kujtohet me respekt, nderim dhe mirënjohje të thellë për jetën dhe veprën e tij si intelektual, veprimtar dhe udhëheqës i shquar. Sipas Abdixhikut, Spahija i përkiste brezit që në periudhat më të vështira të historisë zgjodhi anën e lirisë dhe demokracisë, duke dhënë një kontribut të çmuar në rrugëtimin politik të Kosovës dhe veçanërisht të Mitrovicës.
Spahija, i rritur në një familje me traditë të fortë atdhetare, ishte ndër themeluesit e LDK-së në Mitrovicë dhe një bashkëpunëtor i ngushtë i Presidentit historik, Ibrahim Rugova. Besnikëria e tij ndaj vlerave demokratike dhe vizionit politik të Rugovës e bënë atë një figurë të respektuar brenda LDK-së dhe një udhëheqës të çmuar nga qytetarët e Mitrovicës. Besimi i qytetarëve u dëshmua dy herë me zgjedhjen e tij në krye të komunës. Megjithatë, ndarja e parakohshme nga jeta nuk e lejoi ta përfundonte mandatin e dytë.
Sot, dy dekada e një vit pas vdekjes, Faruk Spahija kujtohet si një burrë i urtë, i ndershëm dhe i përkushtuar, i cili shërbimin publik e shihte si përgjegjësi ndaj qytetarëve dhe vendit. Vepra e tij mbetet pjesë e kujtesës kolektive dhe e historisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Në fund të mesazhit, Abdixhiku e mbylli përkujtimin me fjalët: “Lavdi jetës dhe veprës së Faruk Spahija!”
