**Vetëm tre ditë nga afati: Marrëveshje për Gjykatën Speciale dhe Presidentin, apo zgjedhje të reja?**
Kosova gjendet vetëm tre ditë larg zgjedhjeve të katërta të parakohshme, nëse Lëvizja Vetëvendosje (VV) dhe Partia Demokratike e Kosovës (PDK) nuk arrijnë marrëveshje për zgjedhjen e Presidentit deri më 6 tetor. Një dështim i tillë do ta fuste vendin në ciklin e katërt zgjedhor brenda më pak se dy vjetësh, si pasojë e paaftësisë për të ndërtuar institucione të qëndrueshme. Zgjedhjet e fundit të rregullta janë mbajtur më 9 shkurt 2025, pas përfundimit të mandatit të Qeverisë Kurti 2.
Gjykata Kushtetuese, në vendimin e saj të fundit, ka caktuar 6 tetorin si ditën e fundit për përfundimin e procedurës së zgjedhjes së Presidentit të Republikës së Kosovës. Ajo po ashtu ka sqaruar rrugën drejt zgjedhjeve të reja në rast të dështimit për të zgjedhur kreun e ri të shtetit.
Sipas Gjykatës, nëse Kuvendi nuk arrin ta zgjedhë presidentin deri më 6 tetor, shpërndarja e tij bëhet automatikisht sipas Kushtetutës, dhe zgjedhjet e parakohshme duhet të mbahen brenda 45 ditëve.
Megjithatë, situata mbetet e paqartë sa i përket teknikaliteteve, siç janë konsultimet me partitë politike dhe shpallja e datës për zgjedhje, pasi mandati i ushtrueses së detyrës së Presidentes, Albulena Haxhiu, përfundon pas dy ditësh. Vetë Haxhiu ka paralajmëruar mundësinë e një kërkese të re për sqarime drejtuar Gjykatës Kushtetuese.
Kryeministri Albin Kurti dhe kreu i PDK-së, Bedri Hamza, zhvilluan dje takimin e radhës për të diskutuar hapat e fundit brenda 48 orëve të mbetura. Dy qëndrime janë në diskutim: PDK-ja kërkon miratimin e ligjit për Gjykatën Speciale si hap të parë, ndërsa Kurti, sipas raportimeve të mbrëmshme të Gazeta Express, ka kushtëzuar që fillimisht të miratohet ligji në lexim të parë, e më pas të kalohet te zgjedhja e Presidentit. Hamza e ka refuzuar këtë propozim.
Hamza deklaroi: “Kërkojmë miratimin përfundimtar të Ligjit, pastaj PDK-ja është e gatshme të gjejë zgjidhje për presidentin dhe të ofrojë votat e saj.”
Siç bëhet e ditur, PDK-ja nuk po kërkon një kandidat të saj për President.
Kurti nuk doli para gazetarëve, dhe as Qeveria apo Vetëvendosja nuk kanë lëshuar ndonjë njoftim lidhur me përmbajtjen e takimit.
Të premten mbrëma, Qeveria njoftoi dërgimin në Kuvend të projektligjit për Gjykatën Speciale, të formuluar nga juristët e PDK-së. Megjithatë, pavarësisht pajtimit të Kurtit për ndryshimin e ligjit të Speciales, mungesa e fleksibilitetit rreth hapave për miratimin e tij dhe zgjedhja e Presidentit, për shkak të afatit të shkurtër, mund ta çojnë vendin në zgjedhje të reja. Sonte, për të 19-tën natë radhazi, pritet të mbahet protesta e radhës në sheshin kryesor të kryeqytetit, pranë ndërtesës së qeverisë. Protestuesit po ashtu do t’i afrohen ndërtesës së Kuvendit për të kërkuar miratimin e ligjit.
Të premten, para Presidentes së Komisionit Evropian, Ursula Von der Leyen, Kurti foli për zgjedhjet e shpeshta në vend. Ai theksoi se “përderisa në rajonin tonë ka autokraci elektorale, Kosova është demokraci elektorale”. Madje, ai u përpoq të ironizonte me shpeshtësinë e zgjedhjeve parlamentare në vend, duke thënë: “Zgjedhjet tona janë të lira, të drejta dhe konkurruese. Dhe po, ato duhet të mbahen një herë në 4 vjet, e jo dy herë në vit.”
Megjithatë, vendit dhe qytetarëve po u shtohen mundësitë për të ushtruar demokracinë elektorale edhe një herë brenda këtij viti. Nëse ky ushtrim do të parandalohet apo lejohet, veprimet e Kryeministrit Kurti do të jenë përcaktuese.
