Përkujtohet Abedin Rexha “Sandokani”, 28 vjet nga rënia e tij
Sot shënohen 28 vjet nga rënia heroike e Abedin Rexhës, i njohur me nofkën “Sandokani”, një prej luftëtarëve më të shquar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).
Abedin Rexha lindi më 8 korrik 1969 në Vajnik të Skenderajt. Shkollën fillore e kreu në Turiçec, të mesmen në Skenderaj, ndërsa studimet e larta i vazhdoi në Fakultetin Xehetar-Metalurgjik në Mitrovicë.
Gjatë viteve të shkollimit, ai u përfshi në veprimtari ilegale, dhe në vitin 1992 emigroi. Në vjeshtën e vitit 1996 u kthye në Kosovë, ndërsa gjatë viteve 1997–1998 mori pjesë aktivisht në organizimin dhe zgjerimin e radhëve të UÇK-së.
Në fillim të gushtit 1998, Rexha u caktua komandant i Brigadës 112 “Arben Haliti” në Zonën Operative të Drenicës. Gjatë muajve në vijim, ai mori pjesë në disa luftime të rëndësishme në këtë zonë.
Abedin Rexha ra dëshmor më 8 tetor 1998, në pyjet e Kllodernicës së Skenderajt.
Pas vetes la bashkëshorten dhe dy fëmijët, Sokolin dhe Selveten. Emri i tij përkujtohet vazhdimisht në shkrime, këngë e poezi, ndërsa shkolla e Turiçecit mban me krenari emrin e tij.
