Qorrolli: Kosova në Këshillin e Evropës vitin e ardhshëm, pa lidhje me Gjykatën Speciale

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Vigan Qorrolli, ka theksuar se anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës është një prioritet kombëtar dhe domosdoshmëri. Ai shtoi se ky hap do t’i jepte vendit një besueshmëri ndërkombëtare edhe më të madhe.

“Anëtarësimi në Këshillin e Evropës është prioritet kombëtar i Kosovës, jo vetëm për zbatimin e vendimeve të tij, të cilat tashmë zbatohen në Kosovë me Kushtetutë, por edhe me anëtarësimin në Gjykatën Evropiane për të Drejtat dhe Liritë e Njeriut. Kjo është një domosdoshmëri dhe duhet të presim një moment të parë të përshtatshëm, i cili do të na lejojë të bëjmë aplikimin zyrtar. Është urgjencë dhe kjo do t’i jepte Kosovës një besueshmëri më të madhe ndërkombëtare në fushën e mbrojtjes së të drejtave dhe lirive të njeriut. Më pas, u takon fuqive politike, Bashkimit Evropian dhe vendeve anëtare të Këshillit të Evropës, të reflektojnë dhe t’i japin mundësi Kosovës, sepse kemi mbetur vendi i fundit në kontinent pa u anëtarësuar në Këshillin e Evropës,” ka deklaruar ai.

I pyetur nëse duhet të ketë një agjendë shtetërore lobimi për anëtarësim në Këshillin e Evropës, por edhe për çështjen e dënimit të ish-krerëve të UÇK-së, Qorrolli theksoi se këto dy çështje nuk duhet të ndërlidhen. Ai shtoi se Kuvendi dhe Qeveria do të bëjnë “çdo gjë të mundshme” që ky proces të përfundojë vitin e ardhshëm.

“Sigurisht, nuk do t’i ndërlidhja çështjet e gjykimeve në Dhomat e Specializuara me anëtarësimin në Këshillin e Evropës. Nëse dikush, eventualisht vetë Këshilli i Evropës apo Bashkimi Evropian, do t’i ndërlidhë, kjo do të ishte një gabim fatal. Ne si Kuvend, dhe si komision, do të bëjmë çdo gjë të mundur, po ashtu edhe ekzekutivi, që vitin e ardhshëm ky proces të përfundojë. Fatkeqësisht, është shndërruar në çështje politike, ndërsa duhet të ishte një procedurë teknike. Ne i plotësojmë të gjitha kushtet për të qenë anëtar, dhe kjo duhet të ishte një proces teknik. Fatkeqësisht, është shndërruar në proces politik, dhe Republika e Kosovës nuk duhet të shantazhohet për anëtarësim atje,” ka deklaruar ai.