Hakimi synon “Topin e Artë” dhe dëshiron që trofeu të qëndrojë në Paris

Achraf Hakimi, ylli i Paris Saint-Germain, është sërish mes 30 kandidatëve për çmimin prestigjioz “Topi i Artë”. Mbrojtësi maroken ka shprehur hapur dëshirën që ky trofe të vijë sërish në radhët e klubit parisien, duke theksuar rëndësinë e suksesit kolektiv mbi atë individual.

Hakimi, i cili ishte në listën e kandidatëve edhe në sezonin e kaluar, ku u rendit në vendin e 13-të, foli për ambiciet e tij pas performancave të shkëlqyera me klubin.

Në një intervistë për “CBS”, futbollisti i PSG-së u shpreh se do të dëshironte që një tjetër lojtar i klubit parisien ta fitonte këtë çmim. “Shpresoj që një lojtar i PSG-së të mund ta sjellë këtë trofe sërish në Paris dhe ta festojmë së bashku me tifozët dhe skuadrën,” deklaroi Hakimi.

I pyetur nëse shpreson që fituesi të jetë vetë ai, mbrojtësi nuk e fshehu ambicien personale. Megjithatë, ai theksoi se ky çmim nuk është objektivi i vetëm. “Është një çmim i veçantë dhe të gjithë dëshirojnë ta fitojnë. Por, edhe nëse nuk ia dal, jam shumë i lumtur që jam nominuar. Për mua, gjëja më e rëndësishme janë trofetë kolektivë,” theksoi ylli maroken.

Hakimi vijon të jetë ndër futbollistët kryesorë të PSG-së dhe një nga mbrojtësit e djathtë më të vlerësuar në futbollin evropian. Pavarësisht ambicieve për të fituar çmimin individual më prestigjioz, ai e bëri të qartë se suksesi i skuadrës mbetet përparësia e tij absolute.