Policia e Shtetit në Shqipëri ka pezulluar menjëherë nga detyra dy punonjës policie, pasi në rrjetet sociale është publikuar një video ku ata shfaqen duke tejkaluar detyrën dhe duke përdorur dhunë ndaj një të riu në Tiranë.

Sipas reagimit zyrtar të Policisë së Shtetit, vendimi për pezullimin e menjëhershëm është marrë nga drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Drejtuesi Madhor Skënder Hita, pas publikimit të pamjeve që kanë nxitur reagime në rrjetet sociale.

Të pezulluarit janë inspektor E. P., me detyrë në Patrullën e Përgjithshme, dhe inspektor T. Ç., me detyrë në Komisariatin e Policisë Nr. 3 në Tiranë.

Përveç pezullimit, drejtori i Përgjithshëm ka urdhëruar nisjen e një hetimi disiplinor ndaj dy punonjësve, në kuadër të zbatimit të standardeve profesionale të Policisë.

Në reagimin e saj, Policia e Shtetit ka theksuar se nuk do të tolerojë asnjë rast të dhunës apo tejkalimit të detyrës nga ana e punonjësve të saj.

“Përgjegjësia është individuale, por veprime të tilla cenojnë rëndë imazhin e Policisë dhe besimin e qytetarëve”, thuhet në reagimin e Policisë së Shtetit.