Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina” (KRU “Prishtina”) ka lëshuar paralajmërime për konsumatorët e saj në tetë komuna, duke u dhënë një afat prej 10 ditësh për pagesën e faturave të ujit. Në të kundërtën, ata që nuk i shlyejnë obligimet e tyre do të përballen me ndërprerjen e furnizimit me ujë.
Paralajmërimi prek konsumatorët e komunave të Prishtinës, Lipjanit, Graçanicës, Fushë Kosovës, Podujevës, Shtimes, Drenasit dhe Obiliqit. KRU “Prishtina” ka theksuar në njoftimet e saj rëndësinë e pagesës së faturave brenda afatit të caktuar.
“Pas përfundimit të këtij afati, konsumatorët që nuk i kanë shlyer obligimet e tyre do të përballen me ndërprerjen e furnizimit me ujë”, theksohet në njoftimet e shpërndara nga kompania.
Kompania u ka bërë thirrje konsumatorëve që të kryejnë pagesat me kohë për të shmangur ndërprerjet e mundshme, duke shtuar shpesh fjalët: “Faleminderit për mirëkuptim!”. Një paralajmërim i ngjashëm ishte lëshuar edhe më 15 tetor për konsumatorët e kryeqytetit.
