**Forbes dhe ekspertët e udhëtimeve: 7 destinacionet e rekomanduara për vitin 2027**
Revista amerikane Forbes ka publikuar një listë me shtatë destinacionet e udhëtimit që ekspertët rekomandojnë për vitin 2027. Dolomitet në Itali, kryeqyteti i Perusë, bregdeti i Malit të Zi dhe zonat e pasura me faunë të Brazilit janë ndër vendet që premtojnë përvoja unike kulturore, natyrore, gastronomike, si dhe ngjarje të rëndësishme ndërkombëtare.
Në artikullin e publikuar më 12 tetor, gazetari Christopher Elliott, duke u mbështetur në ekspertët e rrjetit OvationNetwork, thekson destinacione që ndërthurin turizmin luksoz, aktivitetet sportive dhe eksplorimin e vendeve më pak të zakonshme për turistët.
Mali i Zi zë një vend të rëndësishëm në listë si një destinacion evropian me potencial të madh. Ai vlerësohet për bregdetin e Adriatikut, qytetet historike dhe mundësitë për pushime luksoze, larg turizmit masiv. Artikulli veçon Gjirin e Kotorrit, qytetin e vjetër të Kotorrit (trashëgimi e UNESCO-s) dhe gadishullin e Lušticës. Përmendet edhe zhvillimi i turizmit elitar, duke përfshirë rihapjen e kompleksit Aman Sveti Stefan në vitin 2026.
Përveç Malit të Zi, lista e plotë e Forbes për vitin 2027 përfshin:
* **Dolomitet, Itali** – Rekomandohen për peizazhet alpine, skijimin, ecjet malore dhe gastronominë. Veçohet rajoni i Tirolit Jugor për ndërthurjen e kulturave.
* **Lima, Peru** – Kryeqyteti peruan pritet të tërheqë vëmendjen ndërkombëtare duke pritur Lojërat Panamerikane nga 23 korriku deri më 8 gusht 2027. Qyteti vlerësohet gjithashtu për gastronominë, artin dhe shëtitoret përgjatë Oqeanit Paqësor.
* **Bregdeti i Malit të Zi** – Vlerësohet për qytetet historike, gjiret e Adriatikut dhe mundësitë për pushime cilësore.
* **Bangkok dhe Tajlanda veriore** – Rekomandohen për kombinimin e jetës dinamike urbane, ushqimit tradicional, tempujve dhe peizazheve natyrore. Vihet theksi te Chiang Rai, në veri të vendit.
* **Egjipti** – Interesi për këtë destinacion lidhet me trashëgiminë historike, Muzeun e Madh Egjiptian në Giza dhe zgjerimin e ofertës së lundrimeve luksoze në lumin Nil.
* **Irlanda** – Vëmendja pritet të përqendrohet te Kupa Ryder, një nga ngjarjet më të rëndësishme të golfit, e cila do të mbahet në Adare Manor nga 13 deri më 19 shtator 2027. Vendi ofron gjithashtu atraksione historike dhe peizazhe bregdetare.
* **Pantanal, Brazil** – Ligatinat tropikale të Pantanalit rekomandohen për biodiversitetin e pasur dhe mundësitë për të vëzhguar jaguarët në habitatin e tyre natyror, duke veçuar zonën Caiman dhe punën për mbrojtjen e kafshëve të egra.
