**Franca Përfshihet nga Dhuna në Protesta: Mbi 1200 të Arrestuar, Bashki të Djegura**
Një valë protestash mbarëkombëtare kundër kostos së lartë të jetesës ka përfshirë Francën, duke degjeneruar në dhunë të rëndë, plaçkitje, zjarrvënie dhe përplasje masive me forcat e rendit. Mbi 1200 persona janë arrestuar dhe raportohet për dëme të konsiderueshme, përfshirë djegien e bashkisë historike në Limoges.
Ministria e Brendshme bëri të ditur se disa grupe protestuesish në Paris tentuan të afroheshin institucioneve shtetërore, ndërsa policia ndërhyri për të mbrojtur objektet qeveritare. Kryeministri Sébastien Lecornu theksoi se trazirat kishin në shënjestër qendrat kryesore të pushtetit në Paris, duke përfshirë Pallatin Élysée, selinë e qeverisë dhe Asamblenë Kombëtare. Ai e cilësoi nivelin e dhunës si “të tmerrshëm”.
Gjatë protestave, 150 punonjës policie raportohet të jenë plagosur. U raportuan gjithashtu të lënduar mes demonstruesve, mes të cilëve një 17-vjeçar në Saint-Étienne, i cili humbi njërën dorë pas shpërthimit të një granate policie, sipas Le Figaro. Në Nancy, tre persona të tjerë u plagosën nga një granatë verbuese e përdorur nga forcat e sigurisë.
Ministri i Brendshëm, Laurent Nuñez, bëri të ditur se rreth 550 mijë persona morën pjesë në protesta në mbarë Francën, prej të cilëve 110 mijë vetëm në Paris. Qindra protesta lokale dhe marshime u organizuan në të gjithë vendin.
Shumë demonstrues protestuan në mënyrë paqësore, duke kërkuar investime më të mëdha në arsim dhe shëndetësi, strehim më të përballueshëm dhe masa më të forta për mbrojtjen e klimës. Élodie dhe Bérénice, dy infermiere që protestonin në Paris me jelekët simbolikë të lëvizjes së “Jelekëve të Verdhë”, shprehën pakënaqësinë për situatën në spitale dhe theksuan se “nuk jemi këtu për dhunë, por për të mbrojtur të drejtat tona”.
Megjithatë, në shumë qytete protestat degjeneruan në dhunë. Në Marsejë, protestuesit tentuan të hynin me forcë në një komisariat policie, depërtuan në ndërtesën e bashkisë dhe plaçkitën dyqane. Në Lion, zyra e informacionit turistik iu vu flaka dhe u shkaktuan dëme materiale. Zjarrfikësit në Limoges luftuan me orë të tëra me zjarrin që shkatërroi pjesën më të madhe të bashkisë historike.
Ministria e Brendshme akuzoi grupe të ekstremit të majtë, veçanërisht të ashtuquajturit “Black Bloc”, për nxitjen e trazirave dhe sulmet e organizuara në Paris, Marsejë, Rennes, Toulouse dhe Angers. Pati edhe sulme ndaj mediave, ku rreth 100 persona të maskuar bllokuan hyrjen e kanalit televiziv CNews në Paris.
Presidenti Emmanuel Macron dënoi ashpër dhunën, duke theksuar se “nuk ka vend për dhunë në Republikën tonë” dhe paralajmëroi ndjekje penale për përgjegjësit. Edhe Kryeministri Lecornu paralajmëroi se qeveria nuk do të frikësohet nga ata që përpiqen të imponojnë axhendën politike përmes dhunës.
Thirrja për protestë, e përhapur kryesisht përmes rrjeteve sociale, kishte në fokus çmimet e larta të karburanteve, pagat e ulëta, rritjen e kostos së jetesës, si dhe problemet në bujqësi dhe shërbimet zjarrfikëse. Qeveria franceze shpreh shqetësimin se protestat aktuale mund të shndërrohen në një lëvizje të gjerë sociale, duke ringjallur fantazmën e “Jelekëve të Verdhë” që tronditën vendin vite më parë.
