Kryeministri Edi Rama reagoi nga zyra e tij ndaj ditës së pestë të protestës, duke i cilësuar policët si “heronj të shtetit” dhe duke pretenduar se numri i protestuesve arrin në rreth 1500 vetë.

Gjatë një adresimi video më shumë se njëorësh, Rama demonstroi gurë që, sipas tij, po hidheshin ndaj forcave të rendit. Ai theksoi rrezikun e tyre, duke paralajmëruar: “shikojeni se çfarë mund të bëjë ky gur kur vjen si gjyle në kokën e dikujt.”

Kryeministri i kushtoi një pjesë të konsiderueshme të fjalës së tij policëve, duke treguar shqetësim për jetën e tyre të rrezikuar. Ai refuzoi të publikonte radiografinë apo skanerin e kafkës së një oficeri policie të goditur në Shkodër, duke e cilësuar dhunën si “të verbër”. “Kjo është një dhunë e verbër, e cila nuk ka asnjë lidhje me rininë shqiptare, nuk ka asnjë lidhje me fëmijët që të gjithë prindërit kanë në shtëpi, dhe të gjithë prindërit duan t’i shohin të bëjnë hajër,” theksoi Rama.

Ndërkohë, Rama pranoi se ankesat e studentëve që dalin në rrugë “ndonjëherë janë legjitime.”

Ai shtoi se përballë kësaj dhune qëndron policia. “Dhe teksa dëgjoj në pafundësi ankesa dhe justifikime që mund të jenë dhe legjitime dhe nganjëherë janë dhe legjitime, për inatin, për mllefin, për arsyet, për të drejtat e atyre që janë aty në rrugë si studentë, një fraksion i asaj turme që në rastin më të mirë shkon në 1500 vetë, ku një pjesë janë paqësorë, Mendova dhe mendoj vazhdimisht, po punonjësit e Policisë shikoni, i dini kush jua di jetën, jua di hallet?” tha ai, duke theksuar se policët po “demonizohen si autorë të dhunës.”

Kryeministri i cilësoi punonjësit e policisë si “heronj të shtetit”. Ai theksoi me forcë se familjet e këtyre punonjësve, “që janë me uniformë dhe nën uniformë marrin këtë dhuratë (gurë) në breshëri, pa pushim!”, jetojnë me të ardhura modeste dhe po “demonizohen në ekrane si autorë të dhunës”, pavarësisht sakrificës dhe qëndresës së tyre.