Modelja australiane Sahara Ray, e njohur edhe për lidhjen e saj të mëparshme me këngëtarin Justin Bieber, ka ndërruar jetë në moshën 34-vjeçare, vetëm pak muaj pasi solli në jetë fëmijën e parë, një vajzë.

Lajmin e trishtë e konfirmoi familja e saj për median amerikane TMZ, duke bërë të ditur se ndërroi jetë në spital, e rrethuar nga familjarët.

“Ajo ishte shumë e dashur”, thuhet në deklaratën e tyre. Deri më tani, shkaku i vdekjes nuk është bërë publik.

Vdekja e modeles ka prekur miqtë dhe ndjekësit e saj, të cilët kanë ndarë mesazhe ngushëllimi në rrjetet sociale.

Ray u bë nënë në janar të këtij viti, kur solli në jetë vajzën e saj, Snow.

Përveç modelimit, Sahara ishte e njohur edhe si influencuese dhe sipërmarrëse.

Ajo themeloi markën e saj të rrobave të banjës, Sahara Ray Swim, teksa vëmendjen e gjerë mediatike e mori në vitin 2016, kur u publikuan fotografi të saj me Justin Bieber gjatë pushimeve në Hawaii.

Më herët, ishte lidhur nga mediat edhe me këngëtarin australian Cody Simpson.

Sahara ishte vajza e legjendës australiane të sërfit, Tony Ray, dhe gjatë jetës kishte jetuar mes Australisë, Kalifornisë dhe Hawaiit.

Rreth dy vjet më parë, kishte folur publikisht për betejën me sindromën Guillain-Barre, një çrregullim i rrallë neurologjik që, sipas raportimeve, iu diagnostikua pas një aksidenti të rëndë automobilistik.

Pasojat e sëmundjes e kishin lënë pjesërisht të palëvizshme.