**Profesorët e Universitetit Politeknik mbështesin studentët, kërkojnë dorëheqjen e Ramës dhe zgjidhje politike**

Tiranë – Disa profesorë të Universitetit Politeknik në Tiranë janë mbledhur sot në mbështetje të studentëve protestues, duke kërkuar nga Kryeministri Edi Rama t’i dëgjojë kërkesat e tyre dhe t’i japë një zgjidhje politike situatës së krijuar. Pedagogët dhe profesorët shprehën qëndrimet e tyre pro-studentore, ndërsa Sindikata e Punonjësve të Universiteteve të Shqipërisë (SPUSH) iu bashkua zërave kundër dhunës policore të ushtruar ndaj protestuesve.

Sandër Kovaçi, kreu i Sindikatës së Pedagogëve, në fjalën e tij para kolegëve, i bëri thirrje kryeministrit Rama të japë dorëheqjen. Ai theksoi mbështetjen e pedagogëve për të rinjtë dhe dënoi ashpër dhunën e ushtruar nga policia ndaj studentëve. Sipas Kovaçit, kjo qeveri nuk i dëgjon studentët, dhe mungesa e reagimit ndaj protestave paqësore çon në përballje me të rinj të revoltuar.

“Kjo është një qeveri që nuk dëgjon. Duke qenë se nuk dëgjoi studentët, është logjike që kjo lëvizje do të eskalohej. Kur nuk u përgjigjesh protestave paqësore, do të presësh protestues të revoltuar. Fatkeqësisht, qeveria dhe kryeministri, në vend që t’u përgjigjeshin protestuesve paqësore, sot iu përgjigjën me dhunë,” deklaroi Kovaçi.

Ai shprehu shqetësimin e thellë të profesoratit, duke theksuar se janë vërejtur edhe persona civilë që rrezikojnë jetën e qytetarëve. “Brutaliteti ndaj rinisë shqiptare është i papranueshëm. I bëjmë thirrje përfaqësive ndërkombëtare dhe ambasadave që të vënë sytë nga Shqipëria dhe nga ky brutalitet,” shtoi Kovaçi.

Në shenjë mbështetjeje dhe kundër dhunës policore, pedagogët kanë vendosur të organizojnë një marshim. “Sot duhet një zgjidhje dhe zgjidhja duhet të vijë nga politika,” tha Kovaçi, duke përsëritur kërkesën për dorëheqjen e kryeministrit Rama. Ai i ftoi pedagogët të dalin çdo ditë në orën 10:00 para Universitetit Politeknik, në mbështetje të studentëve.