**Përparim Rama, nga mohimi i anëtarësisë në LDK, shpreh gatishmëri për udhëheqje**

Përparim Rama, kryetari i Prishtinës, ka shprehur gatishmërinë për të udhëhequr Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK), një deklaratë kjo që vjen në kundërshtim me qëndrimet e tij të mëparshme, ku mohonte anëtarësinë në këtë parti. Aktori i ri i skenës politike ka thënë se është gati ta drejtojë partinë e cila aktualisht udhëhiqet nga Lumir Abdixhiku, shkruan Ekonomia Online.

Të hënën, në emisionin “DPT te Fidani”, Rama u shpreh se është plotësisht i gatshëm për një angazhim të tillë.

“Normal që jam i interesuar t’i ndihmoj Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe ta nxjerr nga situata ku ndodhet. Si gjithmonë, kam qenë aty për ta, jam aty për ta dhe do të jem aty për ta,” tha Rama.

Kjo deklaratë e Ramës nxiti reagime të shumta në opinionin publik, pasi kryetari i Prishtinës vazhdimisht kishte pohuar se nuk është anëtar i LDK-së.

“E kam thënë edhe më herët dhe po e theksoj sërish: nuk jam anëtar i Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe nuk jam në garë. Lumiri ka bërë një punë të shkëlqyer në këto katër vite të transformimit të partisë,” kishte thënë Rama në një intervistë vitin e kaluar.

Mbetet për t’u parë reagimi i kreut aktual të LDK-së, Lumir Abdixhiku, me të cilin Rama për një kohë kishte pasur marrëdhënie të tensionuara, veçanërisht pas shkarkimit të disa drejtorëve të Komunës së Prishtinës që vinin nga radhët e LDK-së.

Gara për kreun e LDK-së pritet të jetë interesante, teksa ambicie për këtë pozicion kanë shprehur edhe Hykmete Bajrami dhe Avdullah Hoti, aktualisht deputetë të kësaj partie.

Ndërkohë, më 30 korrik, Lumir Abdixhiku u rikonfirmua si kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës. Kryetari i katërt në historinë e partisë më të vjetër në Kosovë arriti t’i mbijetojë nismës për shkarkimin e tij.

Kuvendi i fundit i partisë u thirr pas zgjedhjeve të 7 qershorit, në të cilat LDK-ja sërish doli e treta. Gjatë nismës për shkarkimin e Abdixhikut, delegatët theksuan dështimin e tij si kryetar. Abdixhiku është në krye të LDK-së që nga viti 2021, pas dorëheqjes së Isa Mustafës.

LDK-ja pritet të mbajë Kuvendin e rregullt vitin e ardhshëm.