Policia e Kosovës ka dhënë detaje mbi vdekjen tragjike të Raif Aliut, i cili humbi jetën në vendin e tij të punës në fshatin Korroticë e Epërme të Drenasit. Ngjarja e rëndë ka ndodhur brenda ambienteve të një kompanie private.

Sipas raportit zyrtar policor, rasti është raportuar më 20 tetor, rreth orës 16:01, pasi viktima kishte pësuar lëndime të rënda trupore gjatë ushtrimit të detyrave.

Menjëherë pas incidentit, Raif Aliu u dërgua për trajtim mjekësor, por mjeku kujdestar konstatoi se ai kishte ndërruar jetë.

Në vendin e ngjarjes kanë mbërritur njësitë policore dhe inspektorët e punës, të cilët kanë nisur hetimet për të zbardhur rrethanat e plota të vdekjes. Me vendim të prokurorit kompetent, rasti është iniciuar si “vdekje tragjike”, ndërsa trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për autopsi, e cila pritet të përcaktojë shkakun e saktë të vdekjes.

Ndërkohë, për vdekjen tragjike të Raif Aliut ka reaguar edhe Lushtaku, i cili ka shprehur ngushëllime familjes së të ndjerit.