**Tubim Kombëtar në Tiranë: Dita e Dymbëdhjetë e Protestave, Rama Ripërsërit Ftesën për Dialog me Tryezë Betoni**
Tirana është bërë sërish arenë e një tubimi kombëtar në ditën e dymbëdhjetë të protestave studentore. Ndërsa studentët, pedagogët dhe përfaqësues të bizneseve janë bashkuar në kërkesat e tyre, Kryeministri Edi Rama vazhdon t’u bëjë thirrje për dialog, duke shtruar madje një tryezë betoni si ftesë simbolike.
Përmes një videoje të publikuar në rrjetet sociale, kreu i qeverisë shfaqet duke vendosur para ndërtesës së Kryeministrisë një tryezë, ku janë lënë fletë me shkrimin “dialog”. Krahas videos, Rama ka shkruar “Mirëmëngjes” në postimin e tij në Facebook këtë mëngjes të shtune.
Kjo ftesë e re vjen pasi protestuesit kanë refuzuar vazhdimisht karriget dhe stolat prej guri, të vendosur ditët e mëparshme nga Kryeministri si propozim për dialog.
Prej dymbëdhjetë ditësh, kryeqyteti po përballet me protesta të gjera. Kërkesa kryesore e protestuesve mbetet dorëheqja e kryeministrit, ndërsa Edi Rama thekson se nuk do të japë dorëheqjen, por shprehet i hapur për dialog.
Kjo e shtunë shënon kulmin e javës së dytë të protestave studentore, me një tubim kombëtar të paralajmëruar në kryeqytet. Këtij mobilizimi i janë bashkuar pedagogë, mjekë, sindikata e biznesit të vogël, si dhe pritet pjesëmarrje e gjerë nga studentët e ardhur nga rrethet.
Sindikata e Pavarur e Artit, Kulturës dhe Medias e Shqipërisë ka konfirmuar gjithashtu pjesëmarrjen e saj në protestën kombëtare të 24 tetorit, në solidaritet me studentët, të rinjtë dhe qytetarët. Ajo u ka bërë thirrje anëtarëve, artistëve dhe punonjësve të kulturës e medias të mblidhen sot në orën 11:00 para Kryeministrisë, duke theksuar përgjegjësinë qytetare për të ardhmen e vendit dhe mbrojtjen e të drejtave të punëmarrësve.
Bashkimi i grupeve studentore para Kryeministrisë është parashikuar të bëhet në orën 14:00.
Mobilizimi për protestën kombëtare shtrihet edhe përtej Tiranës. Studentët nga qytete të tjera, të cilët kanë protestuar gjatë javës në universitetet e tyre, pritet të udhëtojnë sot drejt kryeqytetit për t’iu bashkuar tubimit.
Pjesëmarrja pritet edhe nga shqiptarët e diasporës. Pavarësisht ftesave të përsëritura të Kryeministrit Edi Rama për dialog, protestuesit mbeten të palëkundur në kërkesën e tyre për dorëheqjen e tij.
