**Lutfi Haziri u bën thirrje shqiptarëve të Luginës të votojnë bashkërisht në zgjedhjet serbe: “Bashkojeni votën për një qëllim e referendum”**

Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, ka bërë thirrje për bashkimin e votës së shqiptarëve në zgjedhjet parlamentare të Serbisë. Këtë thirrje ai e bëri përmes një postimi në rrjetin social Facebook.

Në postimin e tij, Haziri ka bashkangjitur një fotografi të mëparshme, në të cilën shihet ai së bashku me kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku, dhe politikanë të tjerë nga Lugina e Preshevës. Ai theksoi se qëllimi i përbashkët është rikthimi tek lista e përbashkët.

“Kur bëhemi bashkë për një qëllim, për një kauzë në themelet e Referendumit për të drejta dhe bashkim, s’mund t’ju ndalë askush,” ka shkruar Haziri.

Ai vijoi duke theksuar rëndësinë e bashkimit të votës: “Më 25 tetor bashkojeni votën për një listë, për një qëllim, për një Referendum.”

“Rikthimi tek lista e përbashkët ishte dhe mbeti qëllim i përbashkët,” përfundoi Haziri. Ai ka përfunduar postimin e tij me hashtagun “#KosovaLindoreAmanet”.