**Muja: Hapen para fundit të vitit subvencionet për kulturat e dëmtuara nga vërshimet**
Ministri i Bujqësisë, Armend Muja, ka deklaruar për Ekonomia Online se komunat, duke përfshirë edhe Istogun, kanë kryer vlerësimin e dëmeve të shkaktuara nga vërshimet e këtij viti dhe i kanë dorëzuar ato në Agjencinë për Menaxhimin e Emergjencave (AME). Sipas tij, subvencionet dhe grantet për kulturat bujqësore të dëmtuara nga vërshimet do të hapen para fundit të vitit.
Muja theksoi se, duke filluar nga viti 2023, në përputhje me Ligjin për Fatkeqësitë Natyrore, kompetenca për trajtimin e këtyre çështjeve i është transferuar Agjencisë për Menaxhimin e Emergjencave, ndërsa Ministria e Bujqësisë ka vetëm një rol bashkëpunues.
“Komunat, përfshirë Istogun, kanë bërë vlerësimin e dëmeve dhe i kanë dorëzuar ato në Agjencinë për Menaxhimin e Emergjencave (AME),” tha Muja. Ai shtoi se “që nga viti 2023, sipas ligjit për fatkeqësitë natyrore, kjo kompetencë i takon Agjencisë së Menaxhimit të Emergjencave, ndërsa Ministria e Bujqësisë shërben vetëm si bashkëpunëtore. Qeveria ka ngritur një grup punues për t’u marrë me këto çështje. Roli ynë tani është fokusuar te rigjenerimi i prodhimit përmes subvencioneve dhe granteve për kulturat e dëmtuara. Këto do të hapen para fundit të vitit, pikërisht me qëllim që t’u vijmë në ndihmë fermerëve në nevojë.”
Komuna e Istogut pësoi dëmet më të mëdha në sektorin bujqësor, me një vlerë të dëmeve që arriti në 2.9 milionë euro.
Rrëbeshet e breshrit shkatërruan thuajse plotësisht pemëtarinë, veçanërisht kulturat e mollëve në Kovragë, si dhe dëmtuan hektarë të tërë me shalqi dhe perime.
