Të shtunën, qindra persona protestuan në disa aeroporte të Gjermanisë, duke kundërshtuar dëbimin e azilkërkuesve dhe ndalimin e tyre në pritje të largimit nga vendi, sipas vlerësimeve të policisë.
Këto mobilizime u zhvilluan në disa prej aeroporteve kryesore të Gjermanisë. Në Mynih, morën pjesë mbi 700 persona; në Leipzig, u regjistruan rreth 400 protestues; në Frankfurt u mblodhën rreth 300; në Berlin-Brandenburg rreth 150; ndërsa në aeroportet e Këlnit/Bonit dhe Dyseldorfit ishin nga rreth 50 protestues në secilin prej tyre.
Aleanca që organizoi protestat deklaroi se në tubime morën pjesë gjithsej disa mijëra njerëz. Sipas organizatorëve, demonstratat nuk u kufizuan vetëm në aeroporte, por u zhvilluan edhe në qytete të tjera, duke përfshirë Bielefeldin dhe Hanoverin.
Protestuesit kundërshtojnë dëbimin e migrantëve, kërkesat e të cilëve për azil janë refuzuar nga autoritetet gjermane. Ata denoncojnë gjithashtu ndalimin e personave në pritje të dëbimit dhe zgjerimin e infrastrukturës së përdorur për zbatimin e këtyre procedurave.
Në Leipzig, protesta u përqendrua veçanërisht te fluturimet speciale për dëbimin e migrantëve drejt Afganistanit. Autoritetet gjermane kanë deklaruar se shumica e personave të dëbuar drejt këtij vendi ishin dënuar për vepra penale.
