Deputetja Hykmete Bajrami kërkon hetimin e kontratave njëburimore me vlerë 359 milionë euro, duke ngritur shqetësime për korrupsion.

Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka ngritur shqetësime serioze lidhur me numrin dhe vlerën e kontratave njëburimore të lidhura nga organizatat buxhetore në Kosovë.

Në një postim në Facebook, Bajrami ka theksuar se, sipas të dhënave zyrtare, nga marsi i vitit 2021 deri në mes të tetorit 2026, janë lidhur gjithsej 2,913 kontrata njëburimore, me një vlerë totale prej 359 milionë eurosh.

Prej tyre, 1,706 kontrata, me vlerë 304 milionë euro, janë lidhur për herë të parë, ndërsa 1,207 janë anekse kontratash, me një vlerë prej 55 milionë eurosh.

Bajrami e ka lidhur këtë problematikë me rastin e fundit të prokurimit të peletit nga ana e komunave, i cili, sipas saj, “tregon më së miri dëmet dhe korrupsionin që bëhet me kontrata njëburimore”.

Si shembull, ajo ka përmendur dallimin në çmimin e blerjes së peletit nga komunat e Podujevës dhe Graçanicës. Komuna e Podujevës e ka blerë peletin për 520 euro për ton përmes një kontrate të negociuar, ndërsa komuna e Graçanicës e ka blerë nga e njëjta kompani për 380 euro për ton, përmes një tenderi të hapur.

Dallimi prej 140 eurosh për ton, sipas Bajramit, është i papranueshëm dhe ka kërkuar që këto kontrata të hetohen me urgjencë.

Në fund të postimit të saj, deputetja Bajrami ka qenë e prerë: “Të gjitha kontratat që janë lidhur pa aprovim paraprak nga Komisioni Rregullativ i Prokurimit Publik janë vjedhje me letra e taksave të qytetarëve të këtij vendi, taksave edhe të atyre që shteti nuk po ua siguron barnat për trajtimin e sëmundjes së kancerit. Kërkohet përgjegjësi!”