Luka Modric vazhdon të shkruajë kapituj të rinj në karrierën e tij të jashtëzakonshme.
Mosha, siç duket, nuk është pengesë për kroatin që të shkëlqejë dhe të ndikojë në rrjedhën e ndeshjeve, gjë të cilën e dëshmoi sërish duke asistuar në golin e hershëm të Milanit kundër Udineses.
Me këtë rast, ai vendosi një rekord të veçantë në futbollin italian, duke lënë pas njërin prej yjeve më të mëdhenj të viteve të fundit.
40-vjeçari e shfaqi magjinë e tij të dielën mbrëma në Friuli, në kuadër të xhiros së tetë të Serie A. Një pasim i shkëlqyer nga mesfushori i mundësoi Milanit ta shënonte golin e parë.
Milani shënoi në minutën e gjashtë. Modric e dërgoi një pasim të peshuar në mënyrë të përsosur te bashkëlojtari i tij amerikan, Christian Pulisic, i cili depërtoi me shpejtësi, kaloi mbrojtjen e Udineses dhe shënoi për t’ua dhënë mysafirëve epërsinë e hershme.
Më pas, rrjeti statistikor “Opta” zbuloi rekordin e arritur nga kroati.
Modric është bërë lojtari me më së shumti asistime në ligën italiane pas mbushjes së moshës 40-vjeçare, që nga rikthimi i kampionatit në formatin me 20 skuadra në sezonin 2004/05.
Ai ka regjistruar katër asistime që nga ditëlindja e tij e 40-të.
Kështu, Modric ka kaluar legjendën suedeze Zlatan Ibrahimovic, i cili kishte realizuar tri asistime në të njëjtën grupmoshë, ndërsa kroati vazhdon të dëshmojë se mund të ndikojë në ndeshje dhe të bëjë diferencën, pavarësisht moshës së tij./GazetaExpress/
