Barcelona pësoi një tjetër goditje, këtë herë në derbin e madh ndaj Real Madridit.

Pas humbjes nga Paris Saint-Germaini në Ligën e Kampionëve, katalanasit u mposhtën edhe në kampionat, duke humbur mundësinë për ta vazhduar serinë e fitoreve.

Hansi Flick e pranoi se skuadra e tij nuk ishte në nivelin e zakonshëm, sidomos në pjesën e parë, ndërsa theksoi se lodhja ndikoi në paraqitjen e lojtarëve.

“Dy humbje janë shumë për ne”

“Dy humbje dhe nuk jemi të lumtur. Jemi të zhgënjyer. Pjesa e parë nuk ishte e mirë, ndërsa në të dytën u përmirësuam pas rezultatit 1-1. Na mungoi freskia”, deklaroi Flick.

Trajneri gjerman kujtoi se Barcelona e kishte nisur sezonin në mënyrë fantastike, duke fituar nëntë ndeshjet e para të La Ligës.

“Humbjet janë pjesë e futbollit. Duhet t’i analizojmë gabimet dhe të përmirësohemi. Është e rëndësishme të reagojmë”, shtoi ai.

Flick kërkon rikthimin e energjisë

Sipas trajnerit, Barcelona nuk arriti të luante me ritmin dhe rrjedhshmërinë e zakonshme. Ai pranoi gjithashtu se kundërshtari ishte në nivel të lartë dhe i shfrytëzoi rastet e krijuara.

“Duhet të pushojmë dhe të rikthehemi me më shumë energji. Nuk dua të kërkoj justifikime, por është e vërtetë se nuk ishim të freskët fizikisht”, theksoi Flick.

Barcelona tani duhet të përqendrohet te ndeshjet e ardhshme dhe të rikthehet te rezultatet pozitive.

Pavarësisht dy humbjeve radhazi, trajneri beson se skuadra ka mundësi të reagojë dhe ta vazhdojë garën për objektivat e sezonit. /Express