Komisioni miraton Projektligjin për Byronë Kundër Pasurive të Pajustifikuara, Haxhiu e cilëson antikushtetues

**Prishtinë** – Komisioni për të Drejtat dhe Interesat e Komuniteteve dhe Kthim ka miratuar njëzëri Projektligjin për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme. Anëtarët e Komisionit kanë konstatuar se ky projektligj nuk cenon të drejtat dhe interesat e komuniteteve në Kosovë, siç raporton Ekonomia Online.

Megjithatë, deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Teuta Haxhiu, ka shprehur kritika të forta ndaj këtij projektligji, duke e cilësuar atë si antikushtetues dhe duke pretenduar se qeveria nuk ka vullnet real për zbatimin e tij.

Nënkryetari i Komisionit, Fahrush Rexhepi, bëri të ditur se projektligji përmban gjithsej 88 nene dhe 12 amendamente të propozuara nga Komisioni raportues përgjegjës.

“Ky projektligj përcakton kompetencat e Byrosë Shtetërore për Verifikimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, si dhe procedurat për verifikimin dhe konfiskimin e saj. Bazuar në shkresat përcjellëse paraprake, mund të konstatojmë se ky projektligj nuk i cenon në asnjë mënyrë të drejtat dhe interesat e komuniteteve në Kosovë,” deklaroi Rexhepi.

Në anën tjetër, deputetja Haxhiu theksoi se, pavarësisht se do ta votojë projektligjin sa herë që ai të sillet në Kuvend, ajo beson se qeveria nuk ka vullnet të vërtetë për zbatimin e tij, duke e cilësuar si antikushtetues.

“Ky ligj ka ardhur disa herë në Kuvend. Që në fillim, kur e kam parë për herë të parë një ligj të tillë, kam menduar se është serioz. Por, tani, si anëtare e këtij Komisioni, jam e bindur se qeveria aktuale nuk ka interes që një ligj i tillë të miratohet dhe zbatohet realisht. Ajo e paraqet vetëm për opinion publik. Do të doja që ky ligj të ishte vërtet i zbatueshëm, por në biseda me juristë të njohur, më është thënë qartazi se ky ligj është antikushtetues. Qeveria, me qëllim, nuk ka dashur t’i rregullojë nenet, pikërisht për të mos lejuar hyrjen e tij në fuqi. Ne do ta votojmë sa herë të vijë, për të treguar se nuk kemi pse t’i frikësohemi, por frika është te pushteti. Edhe një herë po e them, ky ligj është antikushtetues dhe qeveria po e kalon të tillë qëllimisht, vetëm për të mos u zbatuar. Fatkeqësisht, është antikushtetues, por prapë do ta votojmë çdo herë,” u shpreh Haxhiu.

Pas deklaratave të Haxhiut, zëvendëskryetari Rexhepi u shpreh se nuk mund të konfirmojë pretendimin se projektligji bie ndesh me Kushtetutën e Kosovës. Ai shtoi se nuk do të mbështeste kurrë një ligj të tillë nëse do të ishte i bindur se është antikushtetues.

“Lidhur me atë që tha deputetja znj. Haxhiu, se ky projektligj bie ndesh me Kushtetutën e Kosovës, nuk mund ta konfirmoj këtë. Në ndërgjegjen time, nuk do të kisha mbështetur kurrë një ligj që shkel Kushtetutën e Kosovës. Por, aktualisht, nuk mund të them me siguri nëse bie ndesh apo jo me nenet e Kushtetutës së Republikës së Kosovës,” përfundoi Rexhepi.