Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka shprehur tronditje dhe shqetësim të thellë pas vrasjes së një gruaje në Vitomiricë të Pejës, duke i shprehur ngushëllime familjes së saj. Sipas të dhënave publike, viktima kishte kërkuar ndihmë nga institucionet dhe pak para vrasjes ishte trajtuar nga Policia si viktimë e dhunës në familje. Këto rrethana ngrenë dyshime serioze për dështimin e shtetit në mbrojtjen e jetës së saj.

Për IKD-në, informacionet e bëra publike tregojnë se institucionet kanë qenë në dijeni ose duhej të ishin në dijeni për rrezikun ndaj viktimës, i cili kërkonte vlerësim të menjëhershëm dhe masa mbrojtëse efektive. Kërkohet një hetim i thellë për të përcaktuar çfarë informacioni kishte secili institucion, si u vlerësua rreziku dhe nëse u morën të gjitha masat e nevojshme ligjore. Vlerësimi i rrezikut në rastet e dhunës në familje është thelbësor për mbrojtjen e jetës dhe duhet të jetë proaktiv, gjithëpërfshirës e i dokumentuar, duke marrë parasysh historikun e dhunës, kërcënimet dhe rrethanat familjare.

IKD kërkon një hetim të menjëhershëm, të plotë, të pavarur dhe efektiv jo vetëm për vrasjen, por edhe për veprimet apo mosveprimet e të gjithë akterëve institucionalë të përfshirë. Ky hetim duhet të përfshijë Policinë, Prokurorinë, Gjykatën, Qendrën për Punë Sociale, mekanizmat për mbrojtjen e viktimave dhe çdo institucion tjetër me rol dhe kompetencë në këtë rast.

Pretendimet për lëshime nga zyrtarët përgjegjës duhet të shqyrtohen nga mekanizmat kompetentë, duke garantuar paanshmëri dhe profesionalizëm. IKD kërkon që për çdo shkelje të konstatuar, të merren masa konkrete penale, disiplinore dhe administrative, përfshirë shqyrtimin e përgjegjësisë mbikëqyrëse. Gjithashtu, publiku duhet të informohet për gjetjet dhe masat e ndërmarra, duke mbrojtur privatësinë e familjes. Llogaridhënia duhet të identifikojë shkeljet, përgjegjësitë dhe pasojat përkatëse.

Ky rast thekson urgjencën e nevojës për institucione me integritet, profesionalizëm dhe llogaridhënie. IKD kërkon nga Qeveria dhe Kuvendi i Kosovës të ndërmarrin hapa konkretë drejt miratimit të amendamentit kushtetues dhe legjislacionit për Vettingun në sistemin prokurorial e gjyqësor, si dhe të hartojnë një plan me afate të qarta. Sidoqoftë, pritja e Vettingut nuk duhet të shërbejë si justifikim për mosfunksionimin e mekanizmave ekzistues të llogaridhënies apo për të shtyrë kërkimin e përgjegjësisë në këtë rast konkret.

Njëkohësisht, Qeveria dhe institucionet përgjegjëse duhet të sigurojnë masa konkrete për mbrojtjen e grave, duke përfshirë vlerësimin dhe menaxhimin efektiv të rrezikut, shkëmbimin në kohë të informacionit, zbatimin e masave mbrojtëse dhe qasjen në strehim të sigurt e shërbime mbështetëse. IKD i kërkon Ministrisë së Drejtësisë të iniciojë një shqyrtim të dispozitave penale dhe praktikës së tyre lidhur me vrasjet e grave për motive gjinore dhe dhunën në familje. Ky shqyrtim duhet të vlerësojë nevojën për njohjen e “femicidit” në legjislacionin penal, trajtimin e motivit gjinor dhe historikut të dhunës, si dhe përshtatshmërinë e politikës ndëshkimore.

Në fund, IKD i shpreh dhimbje të thellë familjes së viktimës dhe i inkurajon ata, kur të ndihen të gatshëm, të shqyrtojnë mundësinë e kërkimit të përgjegjësisë së shtetit për cenimin e mundshëm të së drejtës kushtetuese në jetë. Kjo do t’i shërbente drejtësisë për të ndjerën dhe mbrojtjes së grave të tjera në rrezik. IKD, përmes Qendrës për Ndihmë Juridike Falas, shpreh gatishmërinë për të ofruar këshillim dhe përfaqësim juridik falas për familjen, ose për të mbështetur avokatin e tyre pro bono.