Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, ka shkarkuar gjenerallejtënant Brett Sylvia nga pozicioni i tij si drejtues i Strategjisë, Planeve dhe Politikës në Shtabin e Përbashkët të Ushtrisë Amerikane. Ky është një prej roleve më të rëndësishme në planifikimin ushtarak të Pentagonit, i njohur si “J5”. Vendimi u mor nga Hegseth, siç bëri të ditur një zyrtar i Departamentit të Mbrojtjes.
Ky shkarkim vjen në një moment delikat për sigurinë ndërkombëtare, ndërsa Presidenti Donald Trump po shqyrton mundësinë e ndërmarrjes së sulmeve të reja amerikane kundër Iranit, në kuadër të një konflikti që, sipas raportimeve, vijon prej tetë muajsh.
Sylvia është gjenerali i dytë që largohet nga ky post gjatë mandatit të Hegseth në krye të Pentagonit. Paraardhësi i tij, gjenerallejtënant Joseph McGee, u detyrua të largohej nga detyra në tetor të vitit 2025.
Deri më tani, nuk është emëruar një pasardhës për Sylvia-n dhe arsyeja zyrtare e shkarkimit nuk është bërë publike, sipas një zyrtari të Departamentit të Mbrojtjes, i cili foli në kushte anonimiteti për shkak të natyrës delikate të çështjes. Lajmi u raportua fillimisht nga revista amerikane “The Atlantic”, duke e shtuar këtë largim në serinë e ndryshimeve në radhët e oficerëve të lartë ushtarakë gjatë drejtimit të Pentagonit nga Pete Hegseth.
