**Sveçla: 11 policë të pezulluar në rastin “Arlinda Zekaj”, përgjegjësia deri në fund**

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka bërë të ditur se 11 zyrtarë policorë në Pejë janë pezulluar nga detyra. Ky vendim vjen pas gjetjeve të raportit lidhur me mangësitë institucionale në trajtimin e rastit të vrasjes së Arlinda Zekajt. Sveçla theksoi se përgjegjësia do të shkojë deri në fund.

Në një konferencë për media, Sveçla deklaroi se 72 orët e fundit kanë konfirmuar dhe qartësuar dështimet në trajtimin e rastit. Ai njoftoi se raportin mbi veprimet e Policisë së Kosovës dhe Inspektoratit Policor tashmë ia ka dorëzuar kryeministrit Albin Kurti.

Sipas Sveçlës, gjetjet e raportit, të cilat pritet të trajtohen edhe nga Prokuroria, evidentojnë shkelje serioze nga zyrtarët policorë. Ai paralajmëroi se hetimet e mëtejshme mund të zgjerojnë rrethin e personave përgjegjës.

Sveçla theksoi se asnjë pozitë apo gradë nuk mund të shërbejë si mburojë për t’iu shmangur përgjegjësisë.

“Për çdo paralajmërim të bërë nga Arlinda që nuk ka marrë reagimin e duhur institucional, do të mbahet përgjegjësi. Arlinda kishte kërkuar mbrojtje. Çdo veprim dhe mosveprim do të hetohet deri në fund,” deklaroi ministri.

Ai shtoi se të gjitha rastet e tjera të identifikuara do të trajtohen me seriozitetin më të madh. Ndër të tjera, Sveçla bëri të ditur se janë identifikuar 155 raste aktive me rrezikshmëri të lartë, për të cilat Policia ka paraqitur raportet mbi veprimet e ndërmarra.