Zbulohet kontrabandë druri në kufi me Serbinë, dy persona arratisen
Një rast i dyshuar kontrabande druri dhe manipulimi me automjete është zbuluar mbrëmë në fshatin Svircë të Kamenicës. Dy persona u arratisën drejt territorit të Serbisë pasi u vëzhguan nga policia.
Sipas Policisë së Kosovës, ngjarja ndodhi rreth orës 20:20 të datës 11 prill, teksa zyrtarët policorë zbatonin një plan operativ në zonën kufitare. Ata hasën në një automjet me targa lokale, pranë të cilit ndodheshin dy persona. Sapo vërejtën praninë e policisë, të dyshuarit u larguan me shpejtësi në drejtim të territorit të Serbisë.
Gjatë kontrollit të vendit të ngjarjes, afër automjetit u gjet një sasi e konsiderueshme drunjsh të prerë. Dyshohet se drunjtë ishin futur ilegalisht nga territori i Serbisë. Sipas vlerësimeve të Agjencisë Kosovare të Pyjeve (AKP), masa drusore arrin rreth 100 metra kub.
Automjeti i dyshuar është konfiskuar dhe dërguar në stacionin policor. Ekziston dyshimi se ai është i falsifikuar, pasi janë konstatuar ndërhyrje në numrin e shasisë.
Lidhur me rastin, është njoftuar prokurori kompetent dhe hetimet po vazhdojnë.
