Kryenegociatori i Kosovës me Bashkimin Evropian dhe koordinatori kombëtar për Planin e Rritjes, Jeton Zulfaj, ka deklaruar se Kosova ka humbur 43.8 milionë euro nga Plani i Rritjes i Bashkimit Evropian. Kjo humbje vjen si pasojë e mosplotësimit të gjashtë nga trembëdhjetë hapat e reformave të caktuar si afat deri në qershor të këtij viti, duke përmendur bllokadën politike si shkaktare kryesore.
Gjatë raportimit në Komisionin për Integrim Evropian, Zulfaj shpjegoi se nga 13 hapat e parashikuar në periudhën shtesë deri në qershor 2026, Kosova arriti të zbatojë vetëm shtatë, ndërsa gjashtë të tjerë nuk u përmbushën brenda afatit. Ai theksoi se vlera e përgjithshme e Planit të Rritjes për Kosovën arrin në 882.6 milionë euro, nga të cilat dy të tretat janë kredi të lidhura me 111 hapa reformash që duhet të plotësohen deri në fund të gushtit të vitit të ardhshëm.
Zulfaj bëri të ditur se kërkesa e parë për pagesë, në vlerë prej 153.4 milionë eurosh për 20 hapa të zbatuar, u dorëzua më 15 korrik të këtij viti. Vlerësimi përfundimtar nga Bashkimi Evropian pritet të bëhet në fillim të nëntorit.
Shumica e reformave të paplotësuara, sipas Zulfajt, kërkonin miratimin e projektligjeve në Kuvend, në një periudhë kur ky institucion ishte i shpërndarë. Megjithatë, ai siguroi se këto reforma janë kthyer në proces dhe pritet të miratohen gjatë këtij viti. Këtu përfshihen ligjet për energjinë, falimentimin, pakon ligjore për drejtësinë dhe strategjinë kundër krimit të organizuar. Objektivi është të mos humbet asnjë reformë, edhe nëse financimet vonohen.
Kryenegociatori paralajmëroi gjithashtu se deri më 31 dhjetor, Kosova duhet të përmbushë edhe 22 hapa të tjerë, në vlerë prej 131.5 milionë eurosh. Dhjetë prej këtyre akteve kërkojnë miratimin në Kuvend, ndërsa pjesa tjetër e projektligjeve do të procedohet nga Qeveria. Ai përmendi se vonesa mund të shkaktohet edhe nga afati 90-ditor i kërkuar nga Komisioni Evropian për kthimin e komenteve mbi projektligjet. Ndër ligjet e rëndësishme që pritet të miratohen deri në fund të nëntorit janë ai për inovacionin, prokurimin publik dhe partneritetin publiko-privat.
