Trajneri Thomas Reis ka folur për rolin e ish-futbollistit të njohur gjerman, Jerome Boateng, i cili tashmë është pjesë e stafit të tij teknik si ndihmëstrajner.
Reis ka theksuar se Boatengu nuk është angazhuar thjesht për detyra ndihmëse, por për të vënë në shërbim të skuadrës përvojën e jashtëzakonshme që ka fituar gjatë karrierës së tij, ku veçohen titulli i kampionit të botës dhe dy trofetë e Ligës së Kampionëve, shkruan Indeksonline
“Ndihmëstrajneri im i ri nuk ka ardhur këtu për të vendosur kone. Jermome Boateng është kampion bote, e ka fituar dy herë Ligën e Kampionëve dhe unë dua ta shfrytëzoj maksimalisht pikërisht këtë përvojë”, ka deklaruar Reis.
Ai ka treguar se fillimisht nuk e njihte personalisht Boatengun, por ideja për ta përfshirë në staf lindi gjatë analizave të klubit për mundësitë e zhvillimit të skuadrës.
Sipas Reis, gjatë një bisede telefonike ia kishte bërë të qartë Boatengut se dëshironte që ai të përcillte njohuritë dhe përvojën e tij te futbollistët e rinj, duke qenë se kishte luajtur në nivelin më të lartë të futbollit.
Roli i ish-mbrojtësit është i përqendruar kryesisht në repartin defensiv. Ai analizon ndeshjet nga këndvështrimi mbrojtës, punon drejtpërdrejt me mbrojtësit në stërvitje, korrigjon gabimet dhe u jep këshilla për organizimin e mbrojtjes dhe lëvizjet e bllokut defensiv.
Reis ka vlerësuar gjithashtu autoritetin që Boateng gëzon brenda skuadrës, duke theksuar se fjalët e tij kanë peshë, pasi futbollistët e dinë se ai flet nga një përvojë e madhe në futbollin e nivelit të lartë.
“Ditë pas dite po fiton më shumë besim, po paraqet idetë e tij dhe po punon pikërisht ashtu siç dëshiroj unë: jo për të vendosur kone, por për të na çuar në një nivel më të lartë sportiv”, ka përfunduar trajneri.
Kujtojmë që Trabzonspori ka grumbulluar 22 pikë në 10 xhirot e para të Superligës së Turqisë./Indeksonline/
