**Gjilan: Paraburgoset për një muaj i dyshuari për vrasjen e djalit dhe mbesës**
Gjykata Themelore në Gjilan i ka caktuar një muaj paraburgim B.D.-së, i cili dyshohet për vrasjen e rëndë të djalit dhe mbesës së tij. Ai ngarkohet me veprat penale “vrasje e rëndë” dhe “mbajtje, kontroll ose posedim i paautorizuar i armëve”.
Ky vendim vjen pas aprovimit të kërkesës së Prokurorisë Themelore në Gjilan.
Sipas kërkesës së Prokurorisë, ngjarja tragjike dyshohet të ketë ndodhur më 1 nëntor 2026, në shtëpinë e të dyshuarit, në fshatin Demiraj të Gjilanit.
Në komunikatën e Gjykatës theksohet se B.D. dyshohet se, pas një konflikti fizik me djalin e tij, e ka privuar atë nga jeta. Më herët, në shtëpi ishte gjetur e pajetë edhe mbesa e tij, D.D., me shenja dhune në shtratin e babait të saj, A.D., i cili gjithashtu u gjet i ndjerë. Dyshohet se të dyja viktimat, djali A.D. dhe mbesa D.D., janë privuar nga jeta si pasojë e veprimeve të të dyshuarit B.D.
Gjyqtari i procedurës paraprake ka vlerësuar se ekzistojnë arsye ligjore për caktimin e paraburgimit, pasi “po të lihej i lirë, i pandehuri, me qëllim të koordinimit dhe minimizimit të pasojave për veprimet e ndërmarra, do të mund të ndikojë në dëshmitarët e tjerë”, thuhet në arsyetimin e vendimit.
Palët kanë të drejtë ankese ndaj këtij vendimi në Gjykatën e Apelit të Kosovës.
