Protestat studentore në Tiranë vijojnë edhe sot, me thirrje për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama. Qindra studentë janë mbledhur sërish në ambientet e universiteteve, në vazhdën e tubimeve të ditëve të fundit.

Tubimi i ditës së sotme nisi nga Universiteti Politeknik, ku një grup studentësh, të pajisur me pankarta, shfaqnin kërkesën për largimin e kreut të qeverisë.

Ditët e kaluara, sipas raportimeve të TCH, studentët u futën në auditorët e disa prej universiteteve, duke nxitur kolegët e tyre që po zhvillonin mësim të bojkotonin procesin mësimor dhe t’u bashkoheshin protestave.

Protesta e zhvilluar dje rezultoi e qetë dhe nuk u raportuan incidente.

Ndërkohë, Policia e Tiranës njoftoi se ka vendosur 16 gjoba ndaj protestuesve, pas hyrjes në fuqi të aktit normativ për tubimet. Gjobat janë aplikuar për shkak të bllokimit të rrugëve gjatë zhvillimit të protestave.