Autoriteti i Konkurrencës: Lushtaku dhe Ymeri akuzojnë VV-në për mbrojtje të shkelësve të ligjit

Deputetët Mergim Lushtaku (PDK) dhe Janina Ymeri (LDK) kanë akuzuar ashpër Lëvizjen Vetëvendosje se po mbron shkelësit e ligjit dhe po i shmanget ballafaqimit në lidhje me veprimtarinë e Autoritetit të Konkurrencës. Këto akuza vijnë pas dështimit të mbledhjes së Komisionit Parlamentar për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi, Tregti dhe Inovacion, për shkak të mungesës së deputetëve të shumicës parlamentare.

Mungesa e tyre pamundësoi shqyrtimin e projektligjit për efiçiencë të energjisë dhe raportimin lidhur me Autoritetin e Konkurrencës, raporton Ekonomia Online.

Deputeti i PDK-së, Mergim Lushtaku, akuzoi Lëvizjen Vetëvendosje se po i shmanget ballafaqimit dhe po mbron, siç i quajti ai, personat që kanë bërë shkelje në Autoritetin e Konkurrencës.

“Po tregohet qartë se këta nuk kanë argumentin për t’u ballafaquar, por po zgjedhin edhe një formë tjetër, jo vetëm bojkotin, por edhe mbrojtjen e atyre që kanë kryer shkelje në Autoritetin e Konkurrencës. Shihet qartë që ka konflikt interesash në këtë drejtim. E kemi parë në mbledhjen e kaluar që kishte një lloj tensioni nga anëtarët e VV-së, për shtyrjen dhe mosftesën e anëtarëve të tjerë të bordit. Ky tension duhet të shpjegohet, jo vetëm prej nesh, por duhet të kërkohet edhe hetim nga institucionet e drejtësisë,” u shpreh ai.

Lushtaku theksoi se kërkojnë edhe ndihmën e qytetarëve për të zbardhur, siç pretendon, rastet e manipulimit të çmimeve dhe dëmtimit të konsumatorëve. Ai kritikoi gjithashtu atë që e quajti arrogancë të pushtetit, duke akuzuar shumicën se po bojkoton punën e Komisionit për të mbrojtur bashkëpartiakët që drejtojnë këtë institucion.

“Ne kërkojmë edhe publikisht të na ndihmojnë në këtë proces, i cili mund të na ndihmojë në zbardhjen e manipulimeve me çmime dhe dëmtimin e qytetarëve. Është për keqardhje mendësia arrogante e pushtetit, në çfarë niveli ka arritur, deri në bojkotimin dhe mbrojtjen e bashkëpartiakëve që udhëheqin me këtë institucion. Mirë që i pamë qëllimet e tyre në këtë rast me mungesën e tyre. Kjo nuk do të mbarojë këtu. Do të kërkojmë edhe shkarkimin e anëtarëve të bordit, por sigurisht se do të kërkojmë edhe ndihmën e qytetarëve për të demaskuar ata që mbrojnë shkelësit e ligjeve dhe keqpërdoruesit e detyrës zyrtare,” deklaroi Lushtaku.

Edhe deputetja e LDK-së, Janina Ymeri, theksoi se çështja e Autoritetit të Konkurrencës ka qenë aktive edhe në legjislaturën e kaluar, ndërsa shprehu kënaqësinë që, sipas saj, kësaj çështjeje po i kushtohet vëmendje.

Ymeri akuzoi deputetët e mazhorancës se po i shmangen ballafaqimit dhe theksoi se mungesa e tyre po ndikon në mosadresimin e veprimeve që ajo i cilësoi si jolegjitime brenda Autoritetit.

“Çështja e Autoritetit të Konkurrencës ka qenë mjaft aktive edhe në legjislaturën e kaluar, më vjen mirë që sot i ka ardhur koha. Mirëpo, shprehu kënaqësinë që sot po dëshmohet se pushteti, pra anëtarët e mazhorancës, po i shmangen ballafaqimit. Kjo vlen për dy arsye: aktivitetet që janë bërë brenda Autoritetit, disa prej tyre, ndër më të rëndësishmet, janë jolegjitime dhe mungesa e deputetëve të VV-së po amnistojnë jolegjitimitetin dhe veprimet abuzive që janë kryer në Autoritet. Po amnistojnë aktivitetet jolegjitime dhe kjo po bëhet në dëm të konsumatorëve. Lëvizja Vetëvendosje ka bërë fushatë në mbrojtje të konsumatorëve, por në fakt vepron me një plan që shkon në dëm të interesave të secilit konsumator, nga produktet bazë deri te nafta dhe produktet e tjera,” deklaroi Ymeri.