**Publikohet letra e Veliajt drejtuar GJKKO: “Më transferuan nga paraburgimi i Durrësit me urdhër të Ramës”**

Seanca e sotme gjyqësore e kryebashkiakut Erion Veliaj u shty për datën 17 nëntor. Veliaj nuk ishte i pranishëm në këtë seancë, por i dërgoi gjykatës një letër përmes avokatit të tij, Plarent Ndreca.

Në letrën e publikuar nga Top Channel, Veliaj shprehet: “E nderuar zonja gjykatëse, siç jeni vënë në dijeni nga Avokati i Popullit, jam rrëmbyer nga paraburgimi i Durrësit pa u treguar urdhri sekret. Përgjigjen e mora të premten nga ministri i Drejtësisë, Toni Gogu. Më tha se jam transferuar me urdhër të Ramës.”

Ai thekson më tej se “do ta dija për nder nëse do të më shtoheshin akuza të tjera për prishjen e rendit kushtetues.” Veliaj e cilëson urdhrin e kryeministrit si të paligjshëm dhe kërkon një hetim të plotë, të thellë dhe të pavarur, duke lënë çështjen në dorën e gjykatës.

Nga ana e saj, Gjykata u shpreh se “nuk jemi kompetentë për transferimin dhe Drejtoria e Burgjeve nuk e ka njoftuar gjykatën.” Gjykata shtoi se verifikimi i kësaj çështjeje u përket organeve të tjera kompetente.