**Myftiu Tërnava dhe ambasadori britanik diskutojnë vrasjet e grave në Kosovë**

Kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiu Naim Tërnava, priti sot në takim ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Jonathan Hargreaves.

Fokusi kryesor i bisedës ishte mbi rastet e fundit të vrasjeve të grave në Kosovë dhe domosdoshmëria e një angazhimi të përbashkët institucional e shoqëror për parandalimin e dhunës ndaj grave. Gjithashtu, palët diskutuan edhe zhvillimet aktuale në vend dhe mundësitë e bashkëpunimit.

Myftiu Tërnava e njoftoi ambasadorin Hargreaves për angazhimin e Bashkësisë Islame të Kosovës (BIK) në këtë çështje, duke theksuar rëndësinë e institucioneve fetare në edukimin, vetëdijesimin dhe promovimin e respektit për jetën dhe dinjitetin njerëzor.

Ai nënvizoi se lufta kundër dhunës ndaj grave kërkon bashkëpunimin e të gjitha institucioneve dhe aktorëve shoqërorë, me qëllim ndërtimin e një shoqërie më të sigurt dhe më respektuese.

Nga ana e tij, ambasadori britanik Jonathan Hargreaves, vlerësoi takimin dhe shprehu gatishmërinë për të thelluar bashkëpunimin në fusha me interes të përbashkët.